Albin Kurti nderon viktimat e Srebrenicës

Autori:Zekirja Shabani

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 21 vjetorit të masakrave dhe gjenocidit në Srebrenicë, ku ushtria dhe vullnetarët serbë patën vrarë 8,327 boshnjakë.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje Kurti është ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, përkatësisht nga kryetarja Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkaq, këtë vit organizatorët boshnjakë i kanë shpallur të padëshirueshëm në Srebrenicë qeveritarët nga Serbia.

“Në Potoçari të Srebrenicës janë varrosur deri më tani 6.377 viktima dhe aty sot u varrosën edhe 121 të tjerë. Z.Kurti mori pjesë në ceremoninë mortore, vizitoi shoqatat e familjarëve dhe bëri nderime te monumenti pranë varrezave e vendosi lule të freskëta në kujtim të të vrarëve. Ai shprehu solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave dhe popullin boshnjak”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Fjala.

21 vite më parë në Bosnjë e Hercegovinë ndodhi krimi më monstruoz që ka parë Evropa pas Holokaustit. Në Srebrenicë u vranë e u masakruan mbi 8 mijë njerëz të pafajshëm. As pas 21 vitesh Serbia nuk e ka pranuar fajin për gjenocidin që ka kryer si shtet.

“Republika Srpska, ky projekt i krijuar nga gjenocidi edhe sot është kërcënim për viktima të reja. Kështu ndodh kur marrëveshjet e paqes bazohen në raporte forcash, dhe jo në vendosje të drejtësisë. Projekti shovinist serb që ka shkaktuar luftërat në ish Jugosllavi është ende aty. Ai po vazhdon të tolerohet në emër të interesave gjeopolitike e ruajtjes së stabilitetit. Por, historia ka treguar se rreziqet më të mëdha për paqen janë konservizimi i padrejtësisë e formave të ndryshme të diskriminimit”, thuhet në njoftimin e VV./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/albin-kurti-nderon-viktimat-e-srebrenices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala