Albin Kurti e Albulena Haxhiu arrestohen nesër?

Autori:Avdyl Pajaziti

Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet nesër (e premte), por pjesë e kësaj seance me shumë gjasa nuk do të jenë dy deputetët me të ‘zhurmshëm’ të Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë kohë edhe sot që të paraqiten në prokurori për të dëshmuar rreth hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, javë me parë.

Nëse këta dy deputetë refuzojnë që të paraqiten në prokurori, atëherë Kurti dhe Haxhiu pritet të arrestohen pikërisht në ditën kur do të mbahet seanca e Kuvendit.

Burime të ORAinfo brenda prokurorisë së shtetit kanë bërë të ditur se deputetëve Kurti dhe Haxhiu, u është dërguar ftesa për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes më datën 22 tetor 2015 për të dhënë deklaratat e tyre lidhur më dyshimet se ata kanë hedhur gazë lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij burimi në rast se deputetët në fjalë nuk paraqiten në prokurori më datën 22 tetor, atëherë prokuroria do të lëshojë urdhër arrest për ta.

“Ata mund të arrestohen qysh nesër nëse nuk e zbatojnë urdhrin e prokurorisë”, ka thënë ky burim brenda prokurorisë.

E gjasat që deputetët Kurti dhe Haxhiu të paraqiten në prokurori janë minimale.

Të dy këta deputetë kategorikisht e kanë mohuar mundësinë që të paraqiten para prokurorisë.

Sipas Kurtit e Haxhiut, ky organ i është nënshtruar politikës së partive në pushtet dhe si i tillë është i papranueshëm për ta.

Për hedhje të gazit brenda Kuvendit, prokuroria ka iniciuar hetim edhe ndaj dy deputetëve, Faton Topallit të VV-së dhe Donika Kadaj-Bujupit të AAK-së.

Por edhe këta dy deputetë e kanë përjashtuar mundësinë që të paraqiten në prokurori për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/albin-kurti-e-albulena-haxhiu-arrestohen-neser/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala