Alban e Kushtrim Gecit, u shqiptohen 1 muaj paraburgim

Autori:Avdyl Pajaziti

Vëllezërve Alban e Kushtrim Geci, të dyshuar se në bashkëkryerje shkaktuan lëndim të rëndë të trupor dhe kanosje, ju është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në seancën dëgjimore, mbrojtësit dhe të dyshuarit e kundërshtuan masën e kërkuar të sigurisë nga prokuroria, por gjykata e vendosi pikërisht këtë masë.

Pas seancës, Haxhi Millaku, avokati i Kushtrim Gecit tregoi për KALLXO.com arsyen e mbajtjes së saj.

“Sot është mbajtur seanca me propozim të prokurorit për caktimin e paraburgimit për Kushtrim dhe Alban Gecin se kinse kanë shkaktuar lëndim trupor njërit nga personave që ka qenë në afërsi të selisë së Vetëvendosjes,” tha Millaku.

Në një komunikatë të lëshuar të hënën, Lëvizja “Vetëvendosje” deklaroi se dy aktivistë të saj u therën me thikë, ndërsa sipas këtij subjekti politik, dy nga sulmuesit ishin djemtë e Sabit Gecit, Alban e Kushtrim Geci.

Edhe Avokati Millaku tregoi se gjykata caktoi paraburgim njëmuajsh për dy të dyshuarit.

“Gjykata e aprovoi propozimin e prokurores që të caktojë paraburgimin për 30 ditë, edhe pse ne e shohim që ai është vendim shumë arbitrar, i pabazuar dhe prokurorja asnjë provë nuk e ka ofruar, as për masën që pse duhet të shqiptohet, as për shkaqet dhe arsyen pse duhet të bazohet një vendim i tillë,” tha Millaku.

Millaku tha se do të paraqesë ankesë ndaj këtij vendimi.

“Ankesën po se po, ajo është një detyrë e avokatit me paraqit bazat e arsyeshme për një paraburgim të tillë që nuk kanë qëndru,” tha Millaku.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/alban-e-kushtrim-geci-u-shqiptohet-1-muaj-paraburgim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala