Alarm për ambientin në Mitrovicë

Autori:Avdyl Pajaziti

Një ambient i pastër nuk mjafton vetëm të duket, por duhet edhe të mirëmbahet, për një jetë më të shëndoshë.

Kështu u tha mes tjerash gjatë një konference me temën “Problemet e mjedisit në Mitrovicë”, të organizuar nga ambasada e Mbretërisë së Holandës bashkë me RTV Mitrovica, që u mbajt të mërkurën në Mitrovicë.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka potencuar se një ambient i mirë është mjaft i rëndësishëm. Sipas tij, mitrovicasit janë të vetëdijshëm për kontributin e shtetit të Holandës që ka dhënë për qytetin e Mitrovicës, sa i përket çështjes së ambientit.

“Njerëzit nga Mitrovica e dinë se Holanda ka ndihmuar në bërjen e një ambienti më të pastër dhe më të mirë në Mitrovicë. Në pjesën e dytë të viteve të 2000-ta ne kemi mbështetur organizatën ndërkombëtare të ambientit për të larguar pjesët më të papastra të cilat kanë shkaktuar probleme me plumb… Aq keq ka qenë situata në atë kohë, ndërsa tani është përmirësuar sado pak. Më vonë ne kemi mbështetur UNDP-në për të larguar mbetjet e mbeturinave, me këtë projekt kemi arritur sukses deri në një masë, sepse problemet janë ende këtu”, ka thënë Bosch.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka falënderuar ambasadorin holandez për kontributin e tij që ka bërë në çështjen e një ambienti më të pastër për Mitrovicën.

Ai tha se çdo herë ka qenë e rëndësishme ambienti dhe pastërtia sepse kjo është shëndet, ndërsa autoritetet komunale janë munduar të bëjmë më të mirën e mundur për rrethanat e tanishme.

“Qyteti tani është shumë më i pastër, vitin e kaluar e ka zënë vendin e parë në Kosovë sa i përket pastërtisë, por nuk do të thotë se nuk duhet punuar edhe më shumë për me qenë më i pastër. Kemi marrë një iniciativë për të bërë më të mirën që të na marr lakmi jo vetëm Kosova por edhe rajoni, për arsye se tani ne kemi një kompani të kontraktuar nga Florida me investim prej 96 milionë të cilat do të investohen në Mitrovicë, për riciklimin e mbeturinave të ngurta, por edhe të tjerave, dhe për të prodhuar rrymë”, theksoi Bahtiri.

Ai bëri të ditur se do të investohet njëkohësisht me vlerë prej rreth 2.2 milionë euro edhe në kompaninë ekzistuese ‘Uniteti’ që është në Mitrovicë e cila ka 230 punëtorë dhe është kompani regjionale duke përfshirë Mitrovicën, Skenderajn dhe Vushtrrinë.

Sipas tij, komuna ka dhënë pëlqimin që kjo kompani të lidhë një kontratë me kompaninë e cila do të instalohet këtu, për të asgjësuar mbeturinat me një kapacitet prej 300 tonë në ditë.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e komunës veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, tha se problemet e mjedisit dhe ambienti janë një temë e qëlluar dhe shumë esenciale për qytetarët e të dyja pjesëve pa marrë parasysh etnitetin e tyre.

Ajo theksoi se nga viti 1999 ka qenë mjaft aktive në këtë drejtim duke punuar me organizata joqeveritare ndërkombëtare, dhe çdoherë kur është folur për mbrojtjen e ambientit këto projekte nuk kanë pasur përkrahjen e duhur sepse siç u shpreh, këto projekte nuk janë fizibile, nuk është diçka që mund të fotografohet, pastaj nuk është një projekt që jep rezultate të shpejta.

Ajo ka shtuar se një qasje e tillë nuk ka qenë e drejtë, dhe tani kjo duhet të ndryshohet.

Në lidhje me gjendjen e ambientit në veri të Mitrovicës, ajo tha se fatkeqësisht gjendja atje është alarmante.

“Unë dua të flas për situatën në veri sa i përket kësaj teme dhe mund të them se gjendja është alarmante. Gjendja është e tillë sepse nuk ekziston vendi ku grumbullohen mbeturinat dhe ky proces nuk është i kontrolluar. Ne kemi disa pika ku grumbullohen mbeturinat afër lumit Ibër, dhe e keqja është se në ato vende gjenden edhe mbeturina medicinale, një gjë që vërtetë është shumë e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Hoxhiq.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/alarm-per-ambientin-ne-mitrovice/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala