Al-Petrol, Interex e MSS i dhunojnë punëtorët

Autori:Avdyl Pajaziti

Kompanitë Interex, Al Petrol dhe MSS janë kampionë të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Përveç që nuk e zbatojnë ligjin e punës, udhëheqësit e tyre i keqtrajtojnë të punësuarit dhe nuk kanë frikën institucioneve të zbatimit të ligjit.

Kështu kanë bërë të ditur, përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, të Mërkurën.

Sipas tyre keqtrajtimet e maltretimet e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë nuk u përgjigjen as organet kompetente të betuara për mbrojtjen e tyre.

Madje disa kompani i kanë kërcënuar edhe sindikalistët kur janë interesuar për kushtet e punëtorëve.

“Devisholli Company, na ka thënë të mos sillemi nga zyrat e tyre, përndryshe do ta pësonim keq”, tregon Ali Azemi, përfaqësues sindikal i punëtorëve

Ai ka thënë se 95% e kompanive private nuk e respektojnë ligjin e punës dhe tregohen jo korrekt ndaj punëtorëve të tyre, ndërsa 20 fletëankesa që janë dërguar nuk janë marrur parasysh nga Inspektorati i punës, dhe gjithashtu dyshojmë se ka bashkëpunime nga brenda Inspektoratit me drejtorët e këtyre kompanive.

“95% të kompanive private në Kosovë nuk e respektojnë ligjin e punës dhe janë jokorrekt ndaj punëtorëve të tyre. Lajmërimet për rastet e tilla i kemi bërë në Ministrinë e Punës, ku i kemi dërguar mëse 20 fletankesa, ata ende nuk na janë përgjigjur. Ne dyshojmë se egzistojnë bashkëpunime në mes punëtorëve të Inspektoriatit dhe drejtorëve të kompanive, pasi që kur inspektorët nga inspektoriati nisen për në një kompani të caktuar, ata së pari lajmërohen nga dikush në mënyrë që ti largojnë punëtorët pa kontrata. Poashtu, 95% punëtorëve në total u mohohet pushimi vjetor”, tha Azemi.

Kompanitë gjithashtu po u ikin tatimeve dhe kontratave të punës, duke mos u siguruar punëtorëve kontrata të punës, të ushqimit dhe të sigurimit shëndetësorë, thotë Azemi.

“Kompanive më me leverdi po u bije të gjobiten nga organet me 10.000 euro për mospagesë të ushqimit për punëtorët, sesa të shpenzojnë deri në 600.000 euro për ushqime. Përveç kësaj, punëtorë nuk kanë kontrata pune dhe kontrata të sigurimit shëndetësor”, shtoi ndër të tjerash Ali Azemi.

Nga të gjithë sektorët më i rrezikuari mbetet sektori teknik dhe ai i ndërtimtarisë. Punëtorët e sektorit teknik të cilët bëjnë pastrimin e objekteve nuk janë të pajisur me masat mbrojtëse të punës dhe janë të rrezikuar nga detergjentet e ndryshme, tregon Azemi. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/al-petrol-interex-e-mss-i-dhunojne-punetoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala