Akuzat e “fshira” të Isa Mustafës

Autori:Zekirja Shabani

Kryeministri Isa Mustafa telashe të mëdha po ka ti mbajë emocionet edhe me rrjetin social, Facebook.

Ai mbrëmë ka postuar një akuzë të rëndë në drejtim të liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit  pohoi se nëse pushteti insiston të arrestojë deputetët që hodhën gaz, populli do ta arrestojë Isa Mustafën..

“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën’ … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Këtë postim ai më vonë e fshiu, me arsyetimin se ishte postuar pa kontrollin e tij. Megjithatë ka ngjallur reagime të shumta duke nxitur edhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn ti shkruaj kryeministrit.

“More Isë, për Radoniqin Tribunali i Hagës i ka gjet fajtorët dhe ata janë gjeneralët serbë Gjorgjeviq e Llazareviq, të cilët mund t’i kesh njohur e bashkëpunuar me ta, sepse që të dy kanë shërbyer në Prishtinë. Kështu e ka jeta, të gjithë diktatorët e kanë të njëjtin fat, të njëjtin fund!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook

Ndërsa, nga Kabineti i Kryeministrit kanë treguar se faqës së Isa Mustafës në Facebook i është thyer passwordi.

Sokol Havolli, shef i Kabinetit të Kryeministrit Isa Mustafa, në një postim të tij ka thënë se: “Sot gjatë gjithë ditës është sulmuar faqja e kryeministrit Isa Mustafa edhe nga hackerë edhe nga llogari të falsifikuara”.

Dy postime i është dashur t‘i fshijë kryeministri Isa Mustafa nga profili i tij në Facebook. Sipas tij, në të dyja kjo është bërë për shkak se llogaria e tij është keqpërdorur.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/akuzat-e-fshira-te-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala