Aktivitete të shumta në Javën kundër dhunës ndaj fëmijëve

Autori:Gazeta Fjala

Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja në partneritet me organizatën “Save the Children”, të dielën kanë filluar “Javën kundër dhunës ndaj fëmijëve”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe koordinimin e institucioneve, prindërve dhe gjithë shoqërisë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe përmirësimin e situatës së tyre në Kosovë si dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Në një konferencë për media të mbajtur sot në Prishtinë, përfaqësues të organizatës “Syri i Vizionit” kanë shënuar fillimin e aktiviteteve që për një javë do të tërheqin vëmendjen për dhunën ndaj fëmijëve dhe angazhimin e institucioneve për zvogëlimin e saj në shoqërinë kosovare.

Naser Lajqi, menaxher i projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë se “Fushata ka për qëllim të tërheq vëmendjen e institucioneve kosovare për nevojat e angazhimit më të madh për parandalimin e dhunës tek fëmijët, duke kërkuar edhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe funksionalizim të mekanizmave ekzistues që ofrojnë ligjet kosovare për mbrojtjen e fëmijëve e sidomos miratimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve”.

Aktivitetet do të zhvillohen nga nesër, 19 tetor deri 25 tetor 2015, ndërsa në to do marrin pjesë qindra nxënës të shkollave të Kosovës, mësimdhënës dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel lokal e qendror.

Në kuadër të “Javës kundër dhunës ndaj fëmijëve” do të ketë vizita në institucionet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, debate mes akterëve në nivel lokal dhe konferencë për trajtimin e gjendjes në këtë sektor, si dhe aktivitete që do mobilizojnë nxënësit në katërmbëdhjetë shkolla për trajtimin e temës së mbrojtjes nga dhuna.

Java kundër dhunës ndaj fëmijëve organizohet në kuadër të projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, implementuar nga OJQ “Syri i Vizionit” në partneritet me “Save the Children” në disa komuna të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aktivitete-te-shumta-ne-javen-kunder-dhunes-ndaj-femijeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala