Aktakuzë ndaj kryeprokurores Shpresa Bakija për SMS-a dashurie

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëntë muaj pas raportimeve në emisionin Drejtësia në Kosovë për skandalin e rrjedhjes së mesazheve të dashurisë nga Prokuroria e Gjakovës, Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija.

Aktakuza e prokurorisë së Gjilanit e cila është ngritur bazuar në të dhënat e raportuara në emisionin e datës 5 tetor 2014 e ngarkon Bakijajn me tri vepra penale përfshirë zbulimin e fshehtësisë zyrtare, shpërdorimin e pozitës dhe veprën penale të cenimit të fshehtësisë së korrespondencës.

Në tetor të vitit të kaluar, Drejtësia në Kosovë bazuar në një raportim në KALLXO.com publikoi të gjeturat e një hulumtimi i cili faktoi se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish- burrit të saj.

Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.

Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.

Deklarata e këtij personi dhënë në Drejtësia në Kosovë u shfrytëzua si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit.

Siç shkruhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori Agron Uka hetimet janë nisur në muajin nëntor të vitit 2014 vetëm disa javë pasi zyra ligjore e KALLXO.com e kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit për të gjeturat e transmetuara me datë 5 tetor.

E kontaktuar nga hulumtuesit e KALLXO.com, Kryeprokurorja e Gjakovës Shpresa Bakija e ka quajtur të pabazuar në ligj aktakuzën ndaj saj duke thënë se kjo aktakuzë “është e bazuar në shpifje e jo në fakte”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aktakuze-ndaj-kryeprokurores-shpresa-bakija-per-sms-a-dashurie/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala