Aksioni i komunave që po i lë udhëtarët në rrugë

Autori:Avdyl Pajaziti

Faiku, zyrtar në një nga institucionet publike në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, përkatësisht në mëngjes, kishte rreth 20 minuta që priste për transport, për të shkuar në punë. Ai me banim është i vendosur në Fushë Kosovë.

Sipas Faikut, kjo pritje e tij kishte ndodhur për faktin se, sidomos gjatë dy ditëve të fundit, numri i taksive ishte reduktuar.

Dhe kjo e gjitha për arsye se inspektorati, së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës, kishin dalë në aksion për të identifikuar dhe gjobitur taksitë ilegalë.

“Ka 20 minuta që po pres. Të gjithë ata taksi që po qarkullojnë po vijnë të mbushur me njerëz që nga rrethi në Fushë Kosovë. Autobusë ka shumë pak, edhe ata që janë nuk të dërgojnë deri tek Qafa. Të duhen ndërruar dy autobusë për të arritur atje”, thotë ai.

Dhe këtë shqetësim nuk e kishte vetëm Faiku. Të njëjtin e kishin edhe disa udhëtarë të tjerë të cilët sot në mëngjes po prisnin për “taksi” në Fushë Kosovë.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, në një prononcim për Telegrafin theksoi se aksionet e inspekcionit për ndalimin e veturave që shërbejnë si taksi pa leje është vazhdimësi e punës së Komunës.

“Ne nuk i kemi aksion ndalesat, sepse është në mënyrë të vazhduar. Inspektorët e komunikacionit dalin në rrugë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kryejnë punën e tyre. Policia e bën planin operativ të këtyre aktiviteteve në bashkëpunim me ne”, ka thënë ai.

Gjatë ditëve të kaluara dhe në vazhdimësi edhe Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndërmarrë aksion për parandalimin e veprimtarisë së taksive ilegalë.

Sipas zëdhënëses së Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, vazhdimisht inspektorët janë në teren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Kontrollohen veturat që kryejnë veprimtari të autotaksive për udhëtarët e Prishtinës. Kemi shumë taksi që punojnë pa leje, d.m.th nuk janë të pajisur me leje nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu tha se trafikun urban e kanë të fragmentuar dhe funksionon në gjendje jo të mirë, dhe për këtë arsye ata kanë ndërmarr një iniciativë.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Zhvillim, është duke e bërë planin e mobilitetit i cili ka përcaktuar nevojat e qytetarëve. Në bazë të asaj analize e kemi parë të arsyeshme se nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kredi me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ka marr një asistencë teknike nga kjo bankë me të cilin kemi për të blerë 51 autobusë në Vjeshtë. Do të bëjmë ridestinimin e këtyre autobusëve dhe riformatizimin e trafikut urban në linjat ekzistuese për të mbuluar gjithë qytetin”, ka theksuar zëdhënësja e Komunës.

Ndërsa zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi për Telegrafin se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të ngushtë më Komunën e Prishtinës.

“Kjo është çështje e Komunës së Prishtinës. Policia e Kosovës thjesht asiston me inspektorët e Komunës që ta kryejnë punën si duhet. Kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës dhe në çdo aktivitet ne bashkëpunojmë me ta”, përfundoi Ahmeti. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aksioni-i-komunave-qe-po-i-le-udhetaret-ne-rruge/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala