Akreditohen dy laboratorë të Institutit Bujqësor të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Instituti Bujqësor i Kosovës (IBK), ka arritur që të akreditojë laboratorin e kontrollit të kualitetit të farërave dhe laboratorit analitik, ku përmes tyre po krijohen mundësi më të mira për kontrolle laboratorike të cilësisë së ushqimeve dhe pijeve, tokës bujqësore, imputeve e prodhimeve bujqësore, si dhe fidanëve. Akreditimi i këtyre dy laboratorëve është bërë sot nga Drejtoria e Akredimit të Kosovës, gjë që i ka hapur rrugë IBK-së, e cila funksionon në kuadër të MBPZHR-së, që të jetë pjesëmarrëse në shumë projekte vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, vlerësoi se ky është një hap tejet i rëndësishëm për institutin dhe tregon për një qasje aktive drejt arritjeve të standardeve me të lartë profesionale. Ai theksoi se nga ky vit përkrahja për këtë institut është rritur dhe po ashtu i gjithë menaxhmenti po punon me një përkushtim edhe më të madh që të shënohen avancime të reja. Ministri shtoi se MBPZHR-ja do të mbështesë Institutin në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.

Në anën tjetër, drejtori i IBK-së, Fehmi Geci, ka treguar se krahas investimeve që po bëjnë në këtë institut, certifikimi i këtyre laboratorëve do të jetë shumë i dobishëm për realizimin e projekteve të ndryshme.

Ai ka thënë se IBK-ja në funksion të arritjes së nivelit të besueshmërisë ligjore për aktivitetet e testimeve analitike të kontrollit të cilësisë së ushqimeve, imputeve e prodhimeve bujqësore, farërave dhe fidanëve, është angazhuar për procesin e akreditimit të brendshëm.

“Instituti Bujqësor i Kosovës deri më tani në mungesë të akreditimit është privuar nga e drejta e tij për pjesëmarrje në projekte vendore e ndërkombëtare, edhe pse me këmbëngulësi ka realizuar me sukses të gjitha marrëveshjet për bashkëpunim me institucionet relevante vendore e ndërkombëtare në projekte hulumtuese dhe shërbime kualitative laboratorike. Instituti po ashtu është angazhuar në krijimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë për aktivitete laboratorike konform standardit ndërkombëtar ISO 17025”, ka thënë drejtori Geci.

Ai po ashtu ka thënë se IBK-ja do të angazhohet në realizimin e planit afatmesëm të zhvillimit të tij, në funksion të organizimit dhe akreditimit të laboratorit të mbrojtjes së bimëve dhe akreditim ndërkombëtar. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/akreditohen-dy-laboratore-te-institutit-bujqesor-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala