AKP-së i teprojnë 60 milionë euro, por ende jo për buxhet të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Moskompletimi i Bordit të AKP-së ka bllokuar pothuajse plotësisht punën e këtij institucioni.Vlerësohet se janë rreth 59 milionë euro mjete tepricë nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore që nuk po mund të barten në buxhetin e Kosovës, për shkak të mungesës së Bordit të AKP-së.

Yll Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka thënë për “Zërin”, se këto para janë të gatshme që të kalojnë në buxhetin e Kosovës, mirëpo, sipas tij, vendimi për bartjen e mjeteve në buxhet duhet të merret prej anëtarëve të Bordit të Drejtorëve.

“Janë rreth 59 milionë euro që janë mbledhur nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore. Por këto mjete edhe pse janë të gatshme që të barten në buxhetin e Kosovë, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi që sipas ligjit duhet të merret vendimi nga ana e Bordit të Drejtorëve. Por pas formimit të Bordit pritet që në mbledhjet e para të merret vendimi për bartjen e këtyre mjeteve në buxhetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Nga kjo bllokadë në AKP ka ngecje në shpalljen e valëve të privatizimit, me shitjet e aseteve përmes likuidimit, vonesa në ndarjen e 20-përqindëshit, etj.

Kuvendi i Kosovës, që sipas ligjit emëron anëtarët e Bordit të kësaj Agjencie, ende nuk e ka vënë në rend të ditës këtë çështje.
Ndërkohë që ekspertë të ekonomisë kanë thënë se këto vonesa do të jenë humbje e madhe për ekonominë e vendit. Sipas tyre, deri më tani procesi i privatizimit në vend nuk ka dhënë rezultatet e duhura.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë se është papërgjegjësi e Qeverisë së Kosovës moskompletimi i Bordit të AKP-së. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/akp-se-i-teprojne-60-milione-euro-por-ende-jo-per-buxhet-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala