AKP largon uzurpatorët

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka liruar nga përdorimet e jashtëligjshme 175 asete të ndërmarrjeve shoqërore. Këtë fakt e ka bërë publike vetë AKP-ja në një njoftim për media.
“Agjencia, duke marrë në konsideratë pengesat e njëpasnjëshme që kanë paraqitur uzurpatorët para dhe gjatë procesit të shitjes, nxori vendimin për lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e jolegal, në mënyrë që të gjitha asetet që do të publikohen për shitje, paraprakisht të lirohen nga uzurpatorët me ndihmën e policisë së Kosovës sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së dhe se asnjë kontratë nuk do të përfundohet/dorëzohet te blerësi pa u liruar aseti nga uzurpatorët”, thuhët në njoftim e AKP-së.
AKP i ka njoftuar të gjithë investitorët se të gjitha asetet që do të tenderohen në të ardhmen për privatizim apo shitje përmes likuidimit do të jenë të lira nga çdo shfrytëzues i paligjshëm, ndërsa nënshkrimi i kontratave me blerësit dhe dorëzimi i kontratave te blerësit do të bëhet vetëm pasi asetet të jenë të liruara paraprakisht nga shfrytëzuesit e jashtëligjshëm.