Akademiku rus: Kosova do të pranohet në UNESCO

Kosova ndoshta do të pranohet në UNESCO, ka thënë gjatë një interviste ekskluzive për “Sputnjik”, Aleksej Lidov, ekspert i UNESCO-s, akademik i Akademisë së Arteve ruse, dhe drejtor i Qendrës Kërkimore për kulturen e krishterë lindore.
“Mendoj se ekzistojnë gjasa të mëdha që kjo të ndodhë, dhe që Kosova të pranohet në UNESCO. Tashmë kemi përjetuar një përvojë të tillë, një skandal të madh, kur në UNESCO u pranua organizata për çlirimin e Palestinës…”, ka deklaruar Lidov, i cili për shkak të pozicioneve të tij në lidhje me ngjarjet në Kosovë, konsiderohet si person non grata nga Prishtina zyrtare, transmeton lajmi.net.
Duke pasur parasysh se shumica e vendeve perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Lidov personalisht nuk sheh ndonjë arsye se përse UNESCO do ti refuzonte ata, përkundër faktit se ekziston një numër i madh i shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
I pyetur se si duhet reaguar në lidhje me këtë, Lidov është përgjigjur duke thënë se “nuk është diçka e keqe, sepse anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të nënkuptonte një tjetër mbrojtje shtesë të monumenteve në Kosovë, siç e dimë të gjithë që janë të rrezikuara”.
Është e qartë që monumentet mbeten “peng” i situatës politike, ka shtuar Lidov, “por besoj se Serbia duhet të punojë në atë drejtim që të ketë mundësinë të ruaj trashëgiminë e saj kulturore, restaurimin e monumenteve që aktualisht gjenden në territorin e ndarë nga Serbia”.
Mendoj se nëpërmjet UNESCO-s do të jetë shumë më e lehtë”, thotë Lidov duke theksuar se, “trashëgimia serbe kurrë nuk do të jetë shqiptare, për shkak se në botë ekziston shkenca, historia, dhe ekspertë nga vende të ndryshme, të cilët nuk do të pajtohen ti shërbejnë propagandës shqiptare”. (lajmi.net)