Ajnishahe Halimi kërkon reforma në Vetëvendosje

Ajnishahe Halimi, e larguar së fundi nga Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar anëtarësinë dhe veprimtarët e pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje të riorganizohen, që në mënyrë demokratike t’ia marrin të drejtën udhëheqjes aktuale, cila sipas sajë e ka uzurpuar partinë. Sipas saj kryesia e tanishme e Vetëvendosjes po vazhdon t’i bëjë dëme të pallogaritshme këtij subjekti, në të gjitha aspektet, politike e organizative.
“Kjo lloj kryesie, me veprimet ndëshkuese që ndërmerr karshi bashkëpunëtorëve të vet, veprimtarëve të dalluar – vetëm pse kanë shprehur një mendim ndryshe, jep sinjale negative, se po erdhi në pushtet, do të jetë e pamëshirshme për kundërshtarët politikë. Prandaj këto veprime të kësaj ‘kryesie’ jo vetëm që janë të papranueshme, por tregojnë për domosdoshmërinë e ndryshimeve për rimëkëmbje dhe shpëtim të vetëvendosjes nga rënia dhe uzurpimi i mëtejshëm i saj”, thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga Halimi.
Vetëvendosjes sipas saj i duhen korrigjime.
“I duhen zgjedhje brenda saj, në të gjitha nivelet. I duhet më shumë demokraci e brendshme, më pak filma e ideologji, më shumë kooperim me faktorë të brendshëm e të jashtëm, më shumë përfillje e besim e më pak dyshime në veprimtarët e saj, të cilët nuk kanë kursyer asgjë”.
Halimi thotë se kjo udhëheqje është mbyllur në gëzhojën e vet dhe nuk lejon të dëpërtojë asnjë ide që nuk përputhet me idetë e saj. Injoron kuadro me vlera morale, intelektuale e atdhetare, shumë prej të cilëve ua ka hequr kapelën për t’i futur në lista zgjedhore dhe tash i kanë harruar.
“S’e dinë madje, a janë gjallë apo kanë vdekur. Sepse të gjitha i dinë vetë dhe s’kanë nevojë për mendime të tjera! Kuadrot i trajtojne si mallra per nje perdorim…”.