Ahmeti, Grabovcit: Je bërë komik për shtatoren e ‘Adem Jasharit’

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se situata në Kuvend mbrëmë ishte tragji-komike, duke parë që Adem Grabovci bënte si i mërzitur se si që 16 vite nuk ka shtatore të ‘Adem Jasharit’ në Prishtinë.

Ai shprehet në Facebook se pasi përjashtuan opozitën nga Kuvendi, shfaqet hipokrizia e skajshme e disa deputetëve dhe fatkeqësisht, kjo hipokrizi e ka kap pushtetin në Kosovë që sa vite.

“Është tragjike dhe në të njëjtën kohë komike se si Adem Grabovci bënte si i mërzitur se si qe 16 vite nuk ka shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë. Përgjigjen e kishte pak metra më larg tek partneri i koalicionit, ose te Isa Mustafa, ose te shefi i grupit parlamentar të LDK. Por, më me rëndësi se shtatorja e Adem Jasharit, është me rëndësi ideali i Adem Jasharit për të cilën u flijua e gjithë familja. Kur përjashtohet e gjithë opozita për qëllime të Serbisë, besoj se e dimë të gjithë se çka do të thoshte Adem Jashari. Mungesa e shtatorës nuk është asgjë në krahasim me mungesën e idealit të tij në radhët tuaja. Prandaj, nganjëherë më mirë është mos me e përmend fare se sa me u bo horë me vajtime të rrejshme”, shprehet Ahmeti.

“Është tragjike se si disa deputetë bëjnë homazhe tek aktivistët e vrarë të pasluftës paradite, dhe pasdite hanë dreka me njerëzit të cilët qe sa vite i kanë akuzuar për vrasjen e atyre aktivistëve. Tashmë, as që kërkojnë hetime me zërin e njëjtë sepse karrigia e pushtetit është e ëmbël, për të përfituar në privilegje, si tenderë, banesa e ku di çka tjetër. E më pas vajtojnë për dy pllaka në shtatoren e Ibrahim Rugovës, e këndej shkelin me dy këmbë në idealet e tij. Edhe kësaj radhe, dy pllakat fizike nuk janë asgjë në krahasim me copat e trupit që i keni hjek nga ideali i Ibrahim Rugovës”, shprehet më tutje kryetari i komunës së Prishtinës.

Ai thekson se situata në Kosovë është larg idealeve të Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës.

“Në këtë rrugë të padrejtë dhe larg idealeve të tyre ju po përjashtoni çdo kundërshtar që po mundohet me ndjek rrugën e tyre. Hipokrizia juaj është aq e shpërfaqur sa që është bërë e gërditshme dhe e padurueshme. Shteti nuk bëhet me pamje e imazhe. Demokracia nuk ndërtohet me pamje e imazhe. E as me shtatore. Ajo ndërtohet me ideale, përkushtim e qëndrueshmëri. Pushteti nuk është i përjetshëm. As për juve e as për askënd. E neve na mbetet që në çdo gjeneratë të kemi idealistë që të rezistojnë rrugët e padrejta sikurse puna juaj. Është koha që të reflektoni, sepse të tjerët tashmë kanë reflektuar për juve”, tha Ahmeti. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ahmeti-grabovcit-je-bere-komik-per-shtatoren-e-adem-jasharit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala