AGRO fillon zyrtarisht

Është lansuar të bmartën edhe zyrtarisht projekti i USAID-it për bujqësi, AGRO që kapë vlerën prej rreth 12 milionë dollarësh dhe pason projektin e mëhershëm të USAID-it për bujqësi, NOA.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Hope ishin në Lipjan në fermën “Agrovizion” për të shënuar edhe nisjen e këtij projekti. Bashkë edhe me zyrtarë tjerë ata vizituan këtë fermë, e cila në vitet e fundit ka marrë mbështetje prej rreth mbi 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, e po ashtu është mbështetur në forma të ndryshme edhe nga USAID-i.
Ministri Memli Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës e ka vendosur bujqësinë ndër prioritetet kryesore si potenciali më i madh për zhvillimin ekonomik dhe për gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Ai ka thënë se MBZHR-ja po punon në veçanti në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në punë.
“Një hap tejet i rëndësishëm është ai i javës së kaluar, kur ne kemi nisur të publikojmë listat e vlerësimeve preliminare të përfituesve nga grantet e ministrisë. Siç e dini këtë vit ne do të ndajmë 20 milionë për grante zhvillimore dhe 23 milionë të tjera në subvencione”.
Ndërkaq ambasadorja Jacobson tha se ndjehet e lumtur me sukseset që po shënohen në bujqësi.
Sipas saj programi Agro do të ofrojmë mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë.
AGRO do të orientohet në grante për fermerët për kultura të ndryshme, në veçanti në pemishte dhe perimtari. Gjithashtu ky projekt do të ofrojë asistencë teknike për MBPZHR-në, institucione të tjera që merren me bujqësinë dhe për fermerët.