AGK paralajmëron fillimin e procedurave ligjore ndaj deputetes Sahatqia

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me gjuhën e përdorur nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqia ndaj gazetarëve në Kuvendin e Kosovës.
“Etiketimi i gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Kuvendit të Kosovës si ‘spiun’, AGK vlerëson se është fyerje e rëndë për gazetarët dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike. AGK kërkon nga deputetja Teuta Sahatqia të kërkojë falje publike për fyerjen që u ka bërë kolegëve gazetarë dhe njëherësh kërkon nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa të distancohet nga deklarimi fyes i deputetes së lartëpërmendur. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në emër të kolegëve gazetarë, paralajmëron se do të filloj procedurat ligjore ndaj deputetes Sahatqia duke pasur parasysh se kjo nuk është hera e parë që e njëjta deputete reagon me arrogancë, nervozizëm e fyerje ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së