AGK kërkon garanci për gazetarët në ligjin për përgjimet

Autori:Zekirja Shabani

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni për Integrime Evropiane, që të mos e ndryshojnë përmbajtën e Projektligjit të ri për përgjime, pasi që kështu siç është nuk do të ketë përgjim në masë dhe do të ruhen burimet e informacionit të gazetarëve.

Me ligjin e ri, AGK ka propozuar dy nene të cilat ia ndalojnë çdo gjykate dhe institucioni tjetër, t’i drejtohen në mënyrë direkte apo indirekte zbulimit të burimit të gazetarit.

Sipas tyre, kjo është një garanci e rëndësishme për mbrojtjen e profesionit të gazetarit. Me ligjin e ri, përgjimet do të mund të bëhen me vendim gjyqësor. Pajisja “Inter Face” do të gjendet vetëm në zyrën e kryeprokurorit dhe nuk do të ketë përgjim në masë, por përgjimi do të ketë kritere të caktuara.

Propozimet e AGK-së, në bashkëpunim me shoqëritë civile si Grupi për Studime Juridike e Politike dhe Institutin GAP, duket se kanë gjetur mbështetjen edhe të Ministrisë dhe Komisionit për Integrime Evropiane.

Këta të fundit shprehën optimistë për miratimin e këtij projektligji.

Në kuadër të propozimeve të AGK-së, tashmë janë futur dy pika tek parimet themelore në rastin e përgjimit. Bëhet fjalë për nenin 4 dhe 7, që siç tregon anëtar i bordit të AGK-së dhe gazetari Shkëlqim Hysenaj, këto pika si të tilla ruajnë burimet e informacionit dhe garantojnë punën e punën e gazetarëve që ata asnjëherë mos t’i kenë të zbuluara burimet e tyre.

E sipas Grupit për Studime Juridike e Politike, nëse ligji do të kalonte në versionin siç ka qenë më herët, çdo gazetar që do të mund ta nxjerr një skandal, do të mund të që përmes përgjimit, t’i zbulohej burimi dhe rrjedhimisht t’i rrezikohej edhe jeta atij që ka dhënë burimin.

Fisnik Korencia, tregon se me ligjin e ri, parashihet që përgjimi mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor.

“Ligji siç ne e kemi propozuar e parasheh që përgjimi të mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor e kjo është shumë e rëndësishme, sepse pa vendim gjyqësor në fakt ligji apo procesi i përgjimi do të mund të keqpërdorej seriozisht. Kështu që garancion që ligji, apo propozimi i ri e parasheh dhe unë shpresoj që i tillë do të kalojë në kuvend, është që të mos mund të ketë asnjë përgjim pa pas vendim gjyqësor, dhe ligji parasheh kushte mbi të cilat gjykata kompetente mund të marrë një vendim gjyqësor. Pra, nuk mund të përgjohet çdokush, ka kritere të caktuara kur mund të lejohet përgjimi, dhe ligji parasheh që përgjimi është vetëm instrumenti i fundit nëse një institucion i ndjekjes penale nuk ka pas instrumente tjera për të arritur deri tek e vërteta”, tha ai.

Ai tregon se ligji i ri e garanton që pajisja që quhet “inter face” të vendoset në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, pra të mos vendoset as në polici, as në AKI.

Gjithashtu, ai tregon se ligji i ri e parasheh një mekanizmin që quhet komisari për përgjime, e që është një gjyqtar i Gjykatës Supreme që përcaktohet nga këshilli gjyqësor, i cili në baza vjetore do të duhej të bëjë një kontroll vjetor edhe mbi pajisjen “inter face”, ku lihet çdo gjurmë e përgjimeve.

Pjesë e diskutimit ishte edhe zëvendësministri Ramadan Ilazi, i cili shprehi pajtimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane për përmbajtjen e projektligjit.

“Të konfirmoj edhe një herë që për ne ky ligj në asnjë moment nuk guxon të shndërrohet në instrument për tkurrjen e të drejtave të njeriut. Ky ligj do t’i shërbejë qëllimit për të cilin i shërben, dhe ka për detyrë që t’i shërbejë, që është instrument për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo është një parim i pa kompromis dhe mua më vjen mirë që tani është hera e tretë, dhe po shndërrojë që do të shndërrohet në e treta e vërteta për këtë ligji, ju e dini në 2010-në nuk ka kaluar, versioni i dytë nuk ka kaluar dhe tani kemi një qasje tjetër dhe kemi pas një bashkëpunim të mirë”, tha ai.

Sipas Ilazit, javën e ardhshme pritet që projektligji të procedohet në qeveri.

Megjithatë, ky ligji ndërlidhet me pakon e ligjeve për liberalizim të vizave, andaj duhet të pritet edhe një konfirmimi nga Komisioni Evropian.

Në hartimin e ligjit të ri, Instituti GAP ka kërkuar edhe garantimin e të dhënave për ata që përgjohen.

Sipas tyre, është një standard i kërkuar edhe nga legjislacioni i BE-së, dhe thonë se iu është premtuar nga ministria që kapitulli i fundit do të jetë shkatërrimi i të dhënave të atyre të përgjohen.

Ndryshimet në projektligjin për përgjimet i mirëpriti edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ilir Deda, që është anëtarë i Komisionit për Integrime Evropiane, vlerëson lartë ndryshimet në këtë projektligj. E këto i quan merita të AGK-së, shoqërisë civile dhe Komisionit për Integrime Evropiane.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/agk-kerkon-garanci-per-gazetaret-ne-ligjin-per-pergjimet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala