AGK e shqetësuar me ambientin e pasigurt për punën e gazetarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, mbetet i shqetësuar me ambientin e pasigurt për punën e gazetarëve, sulmet në rritje dhe mos ndëshkueshmërinë e sulmuesve në Kosovë.

Human Rights Watch në raportin e fundit “Një Profesion i Vështirë: Liria e Medias Nën Sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime për vdekje, ndëshkime në formën e padive në gjykatë dhe fushata përgojuese kundër gazetarëve.

Ky raport konstaton se gazetarët janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritike dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike.

AGK u bën thirrje autoriteteve të sigurisë në vend që ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurt për veprimtarinë e medieve, t’i japin fund frikësimit të gazetarëve dhe mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve.

Ftojmë institucionet që të sigurojnë hetime të shpejta, efikase, të paanshme, dhe të plota në të gjitha rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave.

Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen dhe AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe iu bën thirrje gazetarëve që të mos dekurajohen nga këto raste dhe të vazhdojnë të ngrënë zërin për pengesat që u bëhen në punën e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/agk-e-shqetesuar-me-ambientin-e-pasigurt-per-punen-e-gazetareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala