AGK dhe Kadri Veseli reagojnë ndaj Devollëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë reaguar ndaj posterëve të vendosur gjithandej në qytetet kryesore të Dukagjinit nga kompania Devolli ku fyhet rëndë gazetari i Express-it, Berat Buzhala.

Në reagimin e tij, Veseli ka thënë se “Fushatat e ofendimit dhe denigrimit të personalitetit, si kjo e sotmja ndaj gazetarit Berat Buzhala, janë në kundërshtim të plotë me synimin tonë për një shoqëri të lirë dhe të hapur”.

“Liria e mediave, ekonomia e tregut të lirë dhe shteti ligjor janë themelet e shoqërisë sonë. Askush në Kosovë nuk mund të denigrohet dhe ofendohet për shkak të mendimit ndryshe dhe pikëpamjeve të tij”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se është i shqetësuar lidhur me fushatën ofenduese të kompanisë “Devolli Corporation”, kundër gazetarit të gazetës “Express”, Berat Buzhala.

“Kampanja denigruese e kësaj kompanie është fyerje e rëndë për gazetarët dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike. AGK-ja kërkon nga kompania “Devolli Corporation”, që t’i largojë sa më parë posterët dhe t’i kërkojë falje gazetarit Buzhala”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.

Gjithashtu, AGK-ja u bën thirrje të gjitha palëve që t’i ndjekin rrugët ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe fton gazetarët që t’i drejtohen zyrës ligjore të Asociacionit në rast nevoje për përfaqësim ligjor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/agk-dhe-kadri-veseli-reagojne-ndaj-devolleve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala