AGK dënon kërcënimin ndaj ekipit të Kohavisionit

Autori:Avdyl Pajaziti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim informatën se ekipi i Kohavisionit, gazetarja Donika Voca dhe kameramani Shemsi Igrishta, janë kërcënuar dhe penguar në punën e tyre nga drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti.

“Voca dhe Igrishta janë kërcënuar se nuk guxojnë ta publikojnë lajmin për të cilin kishin shkuar dhe janë nxjerrë jashtë nga shkolla që të dy”, thotë AGK në reagimin e tij.

“Madje drejtori i gjimnazit Izet Hoti nuk e ka lejuar ekipin e KTV-së që të marrë pamje me kamerë edhe jashtë objektit të shkollës duke e kërcënuar në të njëjtën kohë se do t’ua thyej kamerën dhe se me kameramanin e po ashtu edhe me gazetaren do të merret personalisht”, thekson më tej AGK në këtë reagim.

“Për më tepër, siç edhe shpjegon gazetarja dhe kameramani, i njëjti person është paraqitur edhe në zyrat e drejtorit të Arsimit në Komunë dhe ka vazhduar të bëjë presion që lajmi të mos publikohet dhe duke kërkuar edhe nga Drejtori i Arsimit që të mos flasë para kamere lidhur me rastin”, përshkruan rastin AGK.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës raste të tilla janë shqetësuese dhe pengesë e drejtpërdrejtë e punës së gazetarëve që kohëve të fundit janë shtuar në numër.

AGK i bënë thirrje Drejtorisë së Arsimit në Malishevë që të distancohet nga veprat e drejtorit të Gjimnazit “Hamdi Berisha”. AGK i bënë thirrje edhe Ministrisë së Arsimit që të merret me rastin e këtij drejtori, e po ashtu edhe Policisë së Kosovës që të hetojë këtë rast.

AGK konsideron se forma të tilla të pengimit dhe kërcënimeve në punën e gazetarëve janë të patolerueshme dhe cenojnë rëndë lirinë e medias.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/agk-denon-kercenimin-ndaj-ekipit-te-kohavisionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala