AGK dënon kërcënimin e kryeministrit Mustafa ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Autori:Zekirja Shabani

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj kërcënimit që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi, nga kryeministri Isa Mustafa. AGK ka thënë se janë tronditur nga ky kërcenim, derisa kanë bërë thirrje nga kryeministri Isa Mustafa që të kërkojë falje publike dhe ta sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje serioze.

Ky është reagimi i plotë i AGK: 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i tronditur me lajmin se kryeministri Isa Mustafa ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pas publikimit të hulumtimit “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”.

Gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se posedon prova se telefonata kërcënuese ka ardhur nga numri i telefonit të kryeministrit Mustafa.

AGK konsideron se ky rast është skandaloz, sidomos kur kërcënimi vjen nga një autoritet i lartë, i cili do të duhej të jetë garant i lirisë së shprehjes dhe ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri Isa Mustafa që të kërkojë falje publike dhe ta sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje serioze.

Kjo situatë shpërfaq gjendjen e rëndë dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë.

Ndërkaq, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve në rritje kërkon vëmendje të posaçme nga organet e rendit për gazetarët.

Të vetëdijshëm se liria e shprehjes dhe e medies është një prej vlerave më të rëndësishme të një shoqërie demokratike, AGK u bënë thirrje institucioneve të vendit që të kenë prioritet punën e gazetarëve dhe të marrin masa për krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët.

AGK do ta njoftojë komunitetin e gazetarëve për veprimet dhe aktivitetet e mëtejme në raport me Kryeministrinë.

Prishtinë, 20 mars 2016

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/agk-denon-kercenimin-e-kryeministrit-mustafa-ndaj-gazetarit-vehbi-kajtazi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala