Afër 3 milionë euro blerje, pa zotim të mjeteve

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë blerjeve në vlerë prej afër 3 milionë eurove pa bërë zotimin e mjeteve.

Këto blerje janë vlerësuar të jenë bërë në kundërshtim me rregullat e Thesarit, nga Raporti i Auditorit për Pasqyrat Financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2014.

“Në 12 pagesa të testuara në MPB, në vlerë 4,771,166 euro vërejtëm se zotimi (përjashtim bëjnë dy pagesa në vlerë 1,981,941 euro në të cilat zotimi ishte bërë me kohë), kërkesa për blerje, urdhër-blerja dhe raporti i pranimit të mallit ishin bërë pas pranimit të faturës. Certifikuesi në MPB kishte vërejtur këto parregullsi dhe kishte këshilluar njësitë kërkuese për të vepruar në pajtueshmëri më kërkesat ligjore. Në anën tjetër edhe menaxheri i prokurimit në MPB kishte kërkuar nga të gjithë zyrtarët përgjegjës, që me rastin e kërkesave të tyre apo porosive të njoftohet zyra e prokurimit më qëllim të nxjerrjes së urdhër-blerjeve. Megjithatë edhe përkundër kësaj ende nuk është përmirësuar sistemi i pagesave.”, thuhet në raportin e auditorit, transmeton ORAinfo.

Auditori vlerëson se hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme do të rezultojë në vonesa të implementimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues.

Sipas raportit, kryerja e pagesave për mallra dhe shërbime para se të përcaktohen kërkesat/nevojat, mund të rezultojë që të pranohen mallra të cilësisë dhe sasisë jo të nevojshme.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të sigurojë se kontrollet janë shtuar në mënyrë që kontrollet për kontratat të nënshkruhen vetëm atëherë kur ekzistojnë fonde që sigurojnë ekzekutimin e kontratës.

“Gjithashtu duhet të siguroj se janë forcuar kontrollet në procesin e ekzekutimit të pagesave. Procesi i pagesave duhet të bëhet në pajtim të plotë me hapat e përcaktuar me LMFPP-në, dhe me rregullat e Thesarit”, thuhet në rekomandimin Auditorin.

Auditori po ashtu ka gjetur se në këtë ministri është një numër i madh i automjeteve që presin për servisim.

“Edhe përkundër rekomandimeve të vazhdueshme për forcimin e kontrolleve në FP-së si dhe zotimit të menaxhmentit për adresimin e tyre, menaxhimi i automjeteve në këtë njësi ende nuk është i kënaqshëm.
Edhe më tutje 268 automjete8 presin për servisim qysh nga viti 2009 e tutje. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë servisuar si rrjedhojë e mungesës së pjesëve rezerve”, thuhet në raport.

Auditori vlerëson se numri i madh i automjeteve që presin për servisim është shqetësues, duke pasur parasysh se jeta e përdorimit të automjeteve në PK është e limituar. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/afer-3-milione-euro-blerje-pa-zotim-te-mjeteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala