Adem Salihaj: Specialja, imponim nga ndërkombëtarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Adem Salihaj, thekson se Gjykata Speciale nuk është aspak e mirë për Kosovën, sepse e rrënon në masë të madhe imazhin e saj.

“Me gjykimin e disa krimeve që besoj janë kryer gjatë luftës, UÇK-ja dhe Kosova njollosen, sepse “dëshmohet” me gjyq se janë bërë krime. Në anën tjetër, nëse janë bërë krime, ato do të duhej të gjykoheshin nga gjykatat e Kosovës, kurse imazhi i Kosovës do të ishte pozitiv”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, krijimi i kësaj gjykatë është imponuar nga ndërkombëtarët e më shumë si pasojë e raportit të Dick Martyt.

“Por, duke marre parasysh se, nëse nuk e krijojmë ne vetë këtë gjykatë, atëherë atë do ta krijojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe do ti japë kompetenca shumë më të mëdha, e atëherë ne nuk na mbetet zgjidhje, përveç se ta krijojmë vetë, me mundësi që të shpëtojmë më lehtë”, thekson deputeti.

Salihaj thotë se, më e mira do të ishte që këto krime të gjykohen nga gjykatat e Kosovës, por duke marrë parasysh se ne nuk kemi gjyqësi të mirëfilltë që t’i gjykojë këto krime, atëherë përgjegjësitë tona duhet tua japim të tjerëve.

“Sa u përket krimeve të pasluftës, na është thënë shumë herë se ndërkombëtarët. Nuk po pajtohen që edhe ato të gjykohen nga Gjykata Speciale, por vetëm ato që janë përfshirë në raportin e Dick Martyt”, thotë Adem Salihaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/adem-salihaj-specialja-imponim-nga-nderkombetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala