“Adem Jashari” fiton tri çmime për kualitet në shërbime

Autori:Avdyl Pajaziti

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, duke pas parasysh zhvillimet e vitit të fundit, vendosi që të garojë në mesin e shumë aeroporteve të tjera nga e gjithë bota, në kategori të ndryshme të çmimeve që jepen bazuar në këto zhvillime.

Këtë vit, përveç suksesit që arriti duke u nominuar në World Travel Awards 2015 si Aeroport Lider Europian për vitin 2014, ANP “Adem Jashari” arriti të hyjë në listën e ngushtë të “International Green Apple Awards 2015”.

Pas një gare të fortë, ANP “Adem Jashari” fitoi tri çmime në tri kategori, CSR Gold Supreme Champion 2015(Çmimin e Artë si kampion për përgjegjësinë korporative ndaj shoqërisë), Gold Award Employee Benefit Sector(Çmimi i Artë në kategorinë për Përfitimet e Punëtorëve) dhe Gold Environmental Endeavour Sector (Çmimi i Artë për përkujdesje ndaj Ambientit).

Me rastin e marrjes së këtyre çmimeve, Drejtori Gjeneral i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk tha: “Jam shumë mirënjohës për këto çmime dhe për vlerësimin e ANP “Adem Jashari” si një ndër kompanitë më të suksesshme në këtë garë”.

Green Apple Awards 2015 i ka ndarë ANP “Adem Jashari” çmimin “Gold Award Environmental Endeavour Sector” duke pas parasysh sistemin më të ri të trajtimit të ujërave, sistem i cili është më i avancuari në rajon për pastrimin e mbetjeve të ujit.

Në kohën kur ngrohja globale ka rritur shqetësimet e njerëzve në botë, ANP “Adem Jashari” ka bërë progres të shpejtë në kursimin dhe trajtimin e ujit, duke reduktuar deri në 40% sasinë e ujit që hargjohet, në krahasim me aeroportin e vjetër.

Për më tepër, ANP “Adem Jashari” është shpërblyer me çmimet “CSR Gold Supreme Champion 2015” si dhe “Gold Award Employee Benefit”, për themelimin e Institutit për Shërbime të Aeroportit, për të cilin 30 studentë nga Universiteti i Prishtinës ishin përzgjedhur dhe trajnuar, si dhe pas përfundimit të praktikës ju është dhënë mundësia për t’u punësuar në sektorë të ndryshëm të aeroportit.

ANP “Adem Jashari” vazhdon të jetë në garë si aeroport lider në Europë, i nominuar nga “World Travel Awards 2015”.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/adem-jashari-fiton-tri-cmime-per-kualitet-ne-sherbime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala