Abrashi: Vetëvendosja e vogël për t’u marrë me kryeministrin

Autori:Gazeta Fjala

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka vazhduar debatin mes Qeverisë dhe zyrtarëve të Komunës së Prishtinës që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Abrashi, që njëherësh është edhe ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se deklarimet e zyrtarëve të ndryshëm të Komunës së Prishtinës nuk duhet t’i marrim afër zemre.

“Në tentativën për t’u dukur sa më i madh dhe më i fortë, njeriu bënë edhe marrina: provon të rroket më dikë më të madh se vetja. Kësisoj po lexoj shumë deklarime të zyrtarëve të ndryshëm të Komunës së Prishtinës në lidhje me Kryeministrin. Këto deklarime nuk duhet t’i marrim afër zemre, sepse ata se kanë të lehtë që të tërheqin një vijë dalluese nga përfaqësuesit e tjerë të VV-së”, ka thënë mes tjerash Abrashi, duke theksuar se “në atë parti ka shumë vuajtje se kush përfaqëson vijën e fortë, kush është i forti”.

Sipas Abrashit, në këtë garë të brendshme, “zyrtarët e Komunës përpiqen që edhe ata të thonë diç të madhe kundër kryeministrit, që edhe ata të thonë diçka që do ta trondiste dhe do ta linte pa frymë publikun nga “sypatrembshmëria” e tyre”.

“Siç edhe ndodhë zakonisht në këso raste, kur njeriu përpëlitet të dal përmbi veten, ai nuk del vetëm i marrë, por mbi të gjitha ai del qesharak”, ka përfunduar Abrashi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/abrashi-vetevendosja-e-vogel-per-tu-marre-me-kryeministrin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala