Abrashi: Duhet krijuar grup punues për njohjen e stazhit të viteve 1990-‘99

Autori:Gazeta Fjala

Bajram Kurteshi,kishte punuar 24 vjet në një ndërmarrje në Prishtinë, por këtij qytetari nga Prishtina që tashmë ka kaluar moshën e pensionit ajo ndërmarrje ia kishte lëshuar vendimin për 13 vjet përvojë pune.

Sherri i këtij vendimi Kurteshi nuk mund ta gëzojë pensionin si kontributdhënës pasi që për të fituar këtë të drejtë atij i duhen edhe dy vjet përvojë pune para lufte që ta gëzojë këtë pension, transmeton kp.

Sipas një vendimi të Qeverisë, për të përfituar pension si kontributdhënës duhet 15 vjet përvojë pune para lufte.

“Nuk i kanë paguar kontributet kur kanë qenë përpara udhëheqësit serb. Unë kam punuar në fabrikën e tekstilit, kur kam dal nga puna në librezë të punës i kam 32 vjet stazh, edhe tri vjet pres me dal ne pension, por pensioni nuk më takon i plotë”, thotë Kurteshi.

Edhe pensionistë të tjerë thonë se mos njohja e stazhit të punës është një padrejtësi e madhe e shtetit të Kosovë, dhe për këtë institucionet gjegjëse duhet t’i nxjerrin ligjet dhe mos të mbesin kontribuesit me vetëm pensionin bazë. Shumë prej tyre të cilët kanë dalë në pension aktualisht nuk po arrijnë të marrin pensionin e plotë për një vit, për 6 muaj në mungesë të stazhit.

Për njohjen e stazhit të punës për të gjithë punëtorët kosovar të periudhës 1990-1999 të cilët ishin larguar dhunshëm nga regjimi serb, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se duhet të formohet një grup qeveritar me përfaqësues të shoqërisë civile, me të BSPK-së, dhe me punonjës të këtyre kategorive. Ky Grup duhet të përpiloj listat e të gjithë punonjësve në të gjithë sektorët dhe të caktohet shuma me listë të pagave apo me benificione.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se do t’i pranojnë listat e të gjithë atyre punonjësve dhe me kalkulimin e përvojës të gjithë ata do të hynë në një kategori të pensioneve meritore.

“Duhet të krijohet një grup qeveritar me përfaqësues të shoqërisë civile, të BSPK-së, të punonjësve të arsimit, të shëndetësisë dhe të ish Qeverisë në ekzil, e cila do të përpilojë listat e gjithë punëtorëve qoftë arsimor, qoftë shëndetësor qoftë të tjerë ashtu si e parasheh ligji që kanë punuar gjatë vitit 1990 -99. Ne si ministri ose ky grup e krijon këtë listë dhe e vërteton qoftë me pagesë të pagave qoftë me listë të pagave qoftë beneficione që kanë pas që dëshmohet se këta persona sa do që janë, që kanë punuar në sistemin e atëhershëm qoftë në arsim qoftë në shëndetësi qoftë në ndonjë sektor tjetër, ne si ministri pranojmë ato lista dhe bëjmë kalkulimin e përvojës dhe pastaj varësisht se sa kanë përvojë ata hynë në një kategori të pensioneve meritore”, tha ministri i Abrashi.

Sindikalistët pohojnë se kërkesat e tyre për stazhin janë mirëpritur nga Qeveria, mirëpo sipas tyre është një proces i cili duhet të punohet në këtë drejtim që të bëhen evidencat dhe regjistrimet e sakta të njerëzve të cilëve t’ju njihet përvoja e punës për 10 vjet.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), Alush Sejdiu thotë se çështja e njohjes së stazhit ditë më parë është ngritur në Këshillin Ekonomiko Social dhe kërkohet të verifikohen listat e punonjësve që kanë punuar në atë kohë për t’u kompensuar pastaj me pensione të plota.

“Hapat e mëtutjeshëm ne i kemi pasur me një takim në Këshillin Ekonomik Social(KES) me ministrat e përfaqësuar në mesin e tyre edhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ministri e ka mirëpritur këtë hap tonin. Sigurisht se është një proces i cili duhet të punohet në këtë drejtim në mënyrë që të vijmë deri te evidencat dhe regjistrimet e sakta të njerëzve të cilët duhet tu njihet përvoja e punës për 10 vjet”, thotë Sejdiu.

Sipas nënkryetarit të BSPK-së numri i punëtorëve nuk dihet ende dhe nuk dëshirojnë të spekulojnë me shifra, sepse mund të ndryshojnë ato. Sejdiu thotë se kësaj kategorie duhet t’iu njihet stazhi i punës në bazë të profesioneve dhe përvojës.

“Ata duhet të hynë në kategorinë e kontributdhënësve, ka profesione dhe përvoja të ndryshme dhe kështu që në bazë të regjistrave të cilët do të përpunohen do të saktësohen dhe do të kompensohen. Tash pasi jemi në fazën e procesit të zhvillimit të këtij procesi nuk dëshirojmë të spekulojmë me shifra po shumë shpejt sigurisht se do ta dalim me një numër përafërsisht të saktë sepse kjo varion. Kështu që nuk është mirë që tani të flasim me shifra për arsye e ato mund të ndryshojnë pastaj”, thotë Sejdiu.

Pensionistët kërkojnë njohjen e stazhit sa më parë meqë janë kontributdhënës dhe duan ta gëzojnë pensionin e plotë jo vetëm atë të moshës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/abrashi-duhet-krijuar-grup-punues-per-njohjen-e-stazhit-te-viteve-1990-99/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala