Abrashi arsyeton shpenzimet e qeveritarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveritarët kosovarë shpenzojnë deri në dhjetëra mijëra euro për udhëtimet e tyre jashtë vendit. Kjo u bë më se e ditur dje, kur u raportua për 10 mijë eurot e ministrit të MPB-së, Skënder Hysenit, i cili për një udhëtim me një koleg kishin shpenzuar atë shumë.

Rastin e tij e sqaron zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, i cili thotë se varësisht prej udhëtimeve janë edhe shpenzimet, pasi që një udhëtim në SHBA shkon deri në disa mijëra euro.

“Ministri Hyseni, si pjesë e një agjende globale, që është luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit, ka marrë pjesë në SHBA, dhe ne e dimë që vetëm një biletë fluturimi për SHBA sillet mes 2-3 mijë EUR, ndërsa një delegacion minimalisht përbëhet nga dy zyrtar”, ka thënë Abrashi për Indeksonline.

Tutje, ai ka shtuar se është paradoksale që në njërën anë të kritikohen zyrtarët se nuk po bëjnë asgjë për të shtyrë përpara agjendën e Kosovës ndërkombëtarisht, e në anën tjetër të kritikohen për shpenzimet e mëdha.

“Përderisa është për t`u habitur që lajmi mjaftohet vetëm me të dhëna statistikore, duke abstraguar faktin se Kosova dhe Qeveria e saj nuk operojnë në një ambient të shkëputur, të mbyllur dhe të izoluar nga zhvillimet ndërkombëtare. Pra, është paradoksale që në njërën anë të kritikohemi se nuk po bëjmë mjaftueshëm për të shtyrë përpara agjendën e Kosovës ndërkombëtarisht, ndërsa në anën tjetër të kritikohemi kur kemi shpenzime për pjesëmarrje në agjendat ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi,

Sipas tij, vetëm në fillim të këtij viti, Qeveria ka kursyer 14.5 milionë euro.

“Vetëm në fillim të këtij viti, Qeveri përmes disiplinimit buxhetor, ka kursyer 14.5 milionë euro. Kjo përfshinë edhe 33 për qind shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë ai për Indeksonline.

Ai ka përfunduar se ka agjenda të cilat shtyhen, sepse ato kanë një kosto, por që përfitimet janë shumë më të mëdha kur kemi të bëjmë me integrimin e Kosovës në agjendat ndërkombëtare./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/abrashi-arsyeton-shpenzimet-e-qeveritareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala