Abdixhiku: Papunësia 50.1% e jo 35.1%

Njohësi i ekonomisë Lumir Abdixhiku ka komentuar publikimin e statistikave për papunësinë nga Agjencia Statistikave të Kosovës.
Abdixhiku ka shkruar në rrjetin social Facebook se ASK nuk i ka llogaritur plot 700 mijë qytetarë që janë punëkërkues.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëpërmjet raportit të fundit mbi papunësinë, ka arritur në këto numra:
– Në Kosovë janë 1,202,489 njerëz në moshë pune;
– Prej të cilëve plot 702,238 (58.3%) janë joaktiv – pra s’kërkojnë punë (sic);
– Pjesa e mbetur, prej 500,251 kosovarëve janë forcë aktive;
– Nga ta, të punësuar janë 323,508 kosovarë (formal e joformal);
– Ndërsa, vetëm 176,743 janë të papunë;
– Rrjedhimisht, papunësia në Kosovë është rreth 35.1%.
Problemi serioz mbetet në mosllogaritjen e plot 702,238 kosovarëve, përkatësisht pjesës dërmuese (plot 58.3%); të cilët fshihen prej kalkulimeve të papunësisë me një vijë lapsi. Normë kaq të lartë joaktiviteti kanë vetëm 4 shtete tjera në botë (sipas të dhënave të Bankës Botërore), bëhet fjalë për Timorin Lindor (62.1%), Moldavinë (59.3%), Gazan (58.8%) dhe Samoa (58.5%).
Vendet fqinje të Kosovës, kanë norma shumë më të ulëta joaktiviteti; Mali i Zi (50.1%), Serbia (47.5%); Shqipëria (44.9%) e Maqedonia (44.8%) – për të dhënë një mesatare prej 46.8%. Nëse Kosova do të llogaritej se ka një fuqi punëtore joaktive sikurse regjioni – siç dhe ka gjasa të jetë – atëherë në Kosovë mund të jenë rreth 562,764 kosovarë joaktiv e 639,724 aktiv – për të dhënë në fund një papunësi prej plot 50.1% e jo 35.1%. Them se hapi i parë në zgjidhjen e problemit është pranimi i ekzistencës së tij”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook