AAK paralajmëron qeverinë: Dëgjojeni zërin e qytetarëve të pakënaqur!

Autori:Zekirja Shabani

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot takim pune me kryetarët e degëve të partisë, ku i është bërë një analizë zhvillimeve në parti, si dhe pozicionimit që do të mbajë kjo strukturë politike në raport me disa procese të rëndësishme për vendin, njofton kumtesa partiake.

Në kumtesën e lëshuarn nga ky subjekt politik, thuhet se AAK me të gjitha degët e saj, do të vazhdojë të jetë e vendosur në mbrojtjen e interesit nacional e qytetar edhe në trajtimin e temave të mëdha, siç janë AKS, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale…

Opozitarizmi i AAK-së në të tri këto tema, është i argumentuar dhe nuk ka për qëllim të hapë armiqësi as me Serbinë, as me Malin e zi e as Komunitetin Ndërkombëtar, por ajo do të vazhdojë të jetë e vendosur në kundërshtimin e çdo gjëje, që në çfarëdo forme, cenon funksionimin e shtetit të Kosovës.

Kjo parti do ta rrisë aktivizimin opozitar ndaj qeverisjes në të gjitha nivelet në Kosovë, e posaçërisht për qeverisjen në nivelin qendror, e cila ka degraduar skajshëm dhe cilësia e saj e keqe nuk është garanci as për zhvillim e as për stabilitet politik.

Duke pasur parasysh, trendin në rritje të pakënaqësisë qytetare, AAK e fton qeverinë dhe institucionet qendrore të shtetit, që të reflektojnë dhe ta dëgjojnë zërin e pakënaqur qytetar, kjo derisa nuk është bërë tepër vonë.

Kryetarët e degëve të AAK-së, e kanë vlerësuar procesin zgjedhor në Parti, dhe kanë konstatuar se AAK po konsolidohet në një subjekt serioz politik dhe po krijon kapacitete shtesë, në mënyrë që të jetë e gatshme për sfidat e reja politike, thuhet në kumtesën e AAK-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aak-paralajmeron-qeverine-degjojeni-zerin-e-qytetareve-te-pakenaqur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala