AAK nuk i jep rëndësi arrestimit të Kurtit, fokusohet te marrëveshjet

Autori:Gazeta Fjala

Partia e Ramush Haradinajt nuk i ka dhënë aspak rëndësi arrestimit të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dy orë pas manifestimit kundër marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin. Kjo parti u mjaftua me një deklaratë të përbashkët të opozitës për të kundërshtuar arrestimin e Kurtit. I zbehtë ka qenë edhe reagimi i partisë së Fatmir Limajt.

Në anën tjetër, herën e kaluar kur ishte ndalur Kurti nga policia, edhe Limaj edhe Haradinaj kishin reaguar duke dalë edhe para stacionit të policisë për ta kërkuar lirimin e tij.

Se pse ka reaguar kaq zbehtë AAK’ja ndaj arrestimit të Kurtit, përgjigjen Blerim Kuçi e Ahmet Isufi

Pas aksionit të djeshëm të policisë që rezultoi me arrestimin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, opozita ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ndër të tjera thanë: Në 28 nëntor 2015 u arrestua Albin Kurti. Pushteti u tregua i gatshëm të përdorë dhunën më ekstreme për të mbrojtur Zajednicën e Demarkacionin, pavarësisht peticionit, pavarësisht aksioneve opozitare, pavarësisht Manifestimit paqësor për Republikën.

Me këtë reagim të përbashkët, ka përfunduar gjithçka rreth reagimit të dy partnerëve të Vetëvendosjes në opozitë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovën dhe Nismës për Kosovën.

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi ka thënë se AAK’ja e ka bërë reagimin e saj në deklaratën e përbashkët me opozitën.

Ai ka thënë se si opozitë kanë garantuar manifestim të qetë dhe dinjitoz për ta përçuar mesazhin për marrëveshjet e dëmshme për Asociacionin dhe Demarkacionin.

I pyetur se a e kanë ditur që Albin Kurti do të dalë të mbajë fjalim në manifestimin e opozitës, Ahmet Isufi i ka thënë Gazetës Express se nuk e kanë pasur për obligim ta dinë se kush do të flasë nga partitë e tjera.

“Nuk e kemi pasur për obligim ta dimë se kush flet prej partive të tjera. Ne si aleancë e kemi ditur që në emër të partisë tonë do të flasë kryetari Haradinaj”, ka thënë për Express, Isufi, duke shtuar se veprimet pas manifestimit janë keqpërdorim i forcës së pushtetit.

Ngjashëm është përgjigjur edhe Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së Blerim Kuçi, i cili që më shumë rëndësi i ka dhënë mbarëvajtjes së manifestimit sesa arrestimit të Kurtit.

“Qëllimi ynë ka qenë t’i mbledhim qytetarët për ta dëshmuar se marrëveshjet janë të dëmshme dhe si të tilla duhet të tërhiqen. As ngjarjet e djeshme dhe asgjë tjetër s’mund ta zbehë masivitetin e manifestimit të djeshëm. Të gjithë ata njerëz e kanë vërtetuar se marrëveshjet janë të dëmshme dhe se peticioni ynë është i vërtetë”, ka thënë Kuçi për Gazetën Express.

Ai ka shtuar se AAK ka reaguar ndaj ngjarjeve të mbrëmshme përmes një deklarate të përbashkët me opozitën dhe ai është qëndrimi i vetëm i kësaj partie./Express

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aak-nuk-i-jep-rendesi-arrestimit-te-kurtit-fokusohet-te-marreveshjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala