AAK: Mustafa sot është dashur ta shkarkojë Komisionin për Demarkacion

Autori:Gazeta Fjala

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se kryeministri i vendit, sot minimalisht do të duhej ta kishte shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, dhe të kishte urdhëruar fillimin e hetimeve ndaj tij.

“Refleksioni normal i këtij pushteti, do të duhej të ishte të paktën deklarimi verbal se Marrëveshja për Asociacionin do të rinegociohet dhe se Qeveria i ndërpret bisedimet me Serbinë, në formën siç janë zhvilluar deri tani dhe të shkarkoi personat përgjegjës për dështimin e Kosovës në Unesco”, thuhet në këtë reagim.

“Përpjekja për t’u sjellë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe loja me nerva dhe skenarët e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës që ta detyrojnë opozitën, që me çdo kusht të përdorë mjete të dhunshme për të penguar seancat e parlamentit, në kohën kur nuk ka kushte për një jetë normale parlamentare, janë papërgjegjësi vetëm e tyre”, thuhet më tej.

Prandaj, AAK i bën thirrje Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, që të marrin vendime që çojnë vendin në normalitet dhe të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në eskalimin e situatës.

Njëkohësisht, ky subjekt politik u ka bërë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të tyre, që këto marrëveshje t’i kundërshtojnë me qytetari “dhe të mos e pranojnë logjikën e kundërshtimit të dhunshëm e cila mund t’iu imponohet edhe nga provokime të orkestruara ose edhe nga të infiltruar të mundshëm”.

“Opozita nuk e ka ndërmend të bëj kompromis me asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, përfundon reagimi i AAK-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aak-mustafa-sot-eshte-dashur-ta-shkarkoje-komisionin-per-demarkacion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala