AAK: Mbulimi i muraleve të Kuvendit, mohim i identitetit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësoi të hënën se muralet në Kuvendin e Republikës, janë pjesë e historisë dhe identitetit të popullit të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe pjesë identitare e atij Kuvendi. Prandaj, mbulimi sërish i tyre, është një akt i papresedan, dhe është përpjekje për të fshehur një pjesë të historisë dhe të identitetit tone.
Sipas AAK-së, përmbajtja e këtyre muraleve, është historia e parlamentarizmit tonë, dhe nuk është e orientuar kundër asnjë grupi etnik, fetar ose politik.
AAK, vlerëson se partneriteti me grupet etnike, religjioze, politike apo edhe me komunitetin ndërkombëtar, nuk ndërtohet duke shkelur mbi identitetin që e kemi, po pikërisht duke e shpalosur atë.
“Veprimi i kujtdoqoftë për fshehjen e tyre, është një veprim arbitrarë dhe shpërfaq logjikën e një lloj vazaliteti, krejtësisht të pakuptimtë e të papranueshëm. Ne mbetemi të vendosur për mbrojtjen e identitetit kombëtarë e kulturorë të së cilit, dhe njëkohësisht të palëkundur që identitetin tonë ta mbrojmë me çdo çmim! Muralet e mbuluara janë turpi dhe pafytyrësia e atij Kuvendi!”, vlerëson AAK. /Telegrafi/