AAK kërkon dorëheqjen e ministrit dhe drejtorit të Policisë

Ndalimi i mbrëmshëm i Albin Kurtit, mënyra se si është bërë ky ndalim, si dhe krejt ngjarjet e mëpastajme që rezultuan me dhjetëra qytetarë e policë të lënduar, janë krejtësisht të papranueshme.
Kështu vlerëson Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Konsiderojmë se marrja në polici e Albin Kurtit, është në kundërshtim me parimet e demokracisë si dhe në kundërshtim me vetë Kushtetutën, nenit 75 të saj, ku deputetët nuk mund të ndalohen, apo të ndiqen e paraburgosen, për shkak të veprimtarisë së tyre në Kuvend. Skandali me Albin Kurtin, ka qenë i menduar, i kalkuluar dhe është bërë me qëllim të eskalimit të situatës, në mënyrë që më pastaj të fajësohet opozita për veprime të dhunshme”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Sipas AAK-së veprimet e së hënës janë përpjekje e pushtetit për të hequr vëmendjen e opinionit publik nga dy marrëveshjet antishtetërore të Demarkacionit dhe Asociacionit!
“Në gjithë këtë ngjarje, është e pashmangshme përgjegjësia e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrit të Brendshëm. Hapi i parë i kapërcimit të kësaj ngjarjeje të papresedan është dorëheqja e tyre. Njoftojmë qytetarët se opozita tashmë është edhe më e vendosur në kërkesat e saj të ligjshme, për pezullimin dhe korrigjimin e marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin”, thuhet në reagimin e AAK-së. /Telegrafi/