AAK-ja po shqyrton ftesën e Jahjagës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ftesa për takim të përbashkët me subjektet politike parlamentare, e presidentes Atifete Jahjaga, po shqyrtohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! dhe Nisma për Kosovën i kanë dhënë përgjigje negative.
Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së konfirmoi për “Top Channel” se, subjekti që ai përfaqëson po e shqyrton ftesën dhe do të japë një përgjigje të shtunën.
Por, “Top channel” mëson nga burime brenda AAK-së se, kreu Ramush Haradinaj po shqyrton edhe mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj kësaj ftese.
“Top Channel” ka mësuar gjithashtu nga burime brenda Presidencës se, në tryezën e ftuar nga Jahjaga do të jenë të pranishëm, në cilësinë e vëzhguesve, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka konfirmuar për arsyen e refuzimit të kësaj partie për pjesëmarrje në tryezë, pasi presidentja nuk i është përgjigjur asnjërës prej kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme, sikurse edhe peticionit kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.“Presidentja nuk e pa të arsyeshme, që së paku të shkruajë dy fjalë në një letër për t’i thënë opozitës se, cili është qëndrimi i saj për këto kërkesa. Deri më tani, ajo ka injoruar në vazhdimësi kërkesat e opozitës”.

Sa i përket takimit së hënës, ‘Nisma’ nuk do të marrë pjesë në të tilla tryeza, të cilat janë takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend dite organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë padyshim do të shkojmë në një takim të tillë. Takime të tjera, mendojmë se nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës”, ka thënë përmes telefonit sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aak-ja-po-shqyrton-ftesen-e-jahjages/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala