AAK i kundërpërgjigjet Mustafës përmes Anton Berishës: Isa është ligjërues i cinizmit

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për të cilin thotë se “ironizon me secilin që nuk i bie në vijë”.
“Në ditën kur përkujtojmë hapjen e mësonjëtores së parë të shkollës shqipe, gjuhës shkrimi i së cilës u ndalua vijueshmërisht për disa shekuj e për të cilën u martirizuam, kryeministri i Kosovës, në vend që të tregojë respekt e përkushtim për këtë ditë, vazhdoi në stilin e tij tashmë të njohur, pasi nuk e qeverisë vendin, të ironizojë me secilin që nuk i bie në vijë. Në stilin tipik për zhugosllavët, na mbajti ligjëratën e radhës të cinizmit: për kullat, trimërinë e traditën.
Ky njeri, që gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar duke i marrë vendit e popullit të vet e duke mos i dhënë asgjë, në misionin e tij për të dëmtuar çdo gjë shqiptare, tash guxon të prek në thelbin e shqiptarisë në traditën e saj, që dorën në zemër nuk ia ka haberin. Por, kjo krijesë abuzuese, harron që Kosova nuk është vend pa Zot dhe se shqiptarët, siç dëshmon edhe përkujtimi historik i ditës së sotme, kanë vuajtur, janë grirë e sakatosur, por në fund ia kanë dalë.
Edhe kësaj radhe do t’ia dalim, ngase edhe mirëkuptimi jonë për tolerancën e tepruar ndaj abuzuesve, grabitësve, cinikëve dhe dëmtuesve të lirisë dhe të mirave që i takojnë vendit e popullit, ka arritur në pikën e durimit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.