AAK fton anëtarësinë për protestë vendimtare kundër kryeministrit e Qeverisë

Këshilli Drejtues i AAK-së ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme dhe njëzëri ka vendosur ta mobilizojë anëtarësinë dhe simpatizantët e AAK-së, si dhe qytetarët për një protestë vendimtare kundër kryeministrit dhe Qeverisë, thuhet në njoftimin për medie nga kjo parti.
Organi më i lartë i kësaj Partie ka vlerësuar se marrëveshjet politike të nënshkruara nga kryeministri Mustafa, e shndërrojnë Kosovën në shtet jofunksional, prandaj është e domosdoshme që ato të mos zbatohen, transmeton Koha.net.
Në një takim të mbajtur pa prezencën e medias, Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar lidershipin të Partisë, që t’i koordinojnë veprimet kundërshtuese edhe me partitë tjera opozitare, me shoqërinë civile, qytetarët dhe të gjithë ata që besojnë se këto marrëveshje janë në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Po ashtu në këtë mbledhje të Këshillit Drejtues të AAK-së është vendosur që nëse në ndërkohë kryeministri dhe Qeveria pezullojnë marrëveshjet, AAK dhe Grupi Parlamentar i saj t’i rikthehen normalitetit të jetës institucionale.