A po përgjohet Spitali i Prizrenit nga Policia? (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputeti nga Suhareka nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, ka denoncuar një rast përgjimi të bërë, siç thotë ai, nga Policia e Kosovës në Spitalin Regjional të Prizrenit.

Përmes një statusi në Facebook, Muharremaj ka thënë se me urdhër të drejtorit të këtij spitali është bërë konfiskimi i çelësave të dhomave të mjekëve me arsyetimin se po e bëjnë dezinfektimin e tyre.

“Aty më pas, siç më kanë informuar qytetarët, po vendosen kamera dhe përgjues nga Policia e Kosovës”, thotë Muharremaj, duke shtuar: “Më habit fakti, si ka mundësi që në dhomat ku kontrollohen qytetarët nga mjekët, të ketë vëzhgim nga organet e rendit”.

“A ka privatësi? A ka kod etik? A jeni t’u e shndërru këtë vend në shtet policor, ku as për shërbimet shëndetësore nuk ka privatësi?”, pyet deputeti Muharremaj.

Për të, si përfaqësues i qytetarëve, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Kjo formë e trysnisë mbi qytetarë duhet të përfundoj. Ndryshe nuk e di qysh ka kuptim Liria e Njerëzve”, ka përfunduar Muharremi postimin e tij duke bashkëngjitur edhe dy fotografi për të cilat pretendon se janë bërë në Spitalin Regjional të Prizrenit ku shihet një pajisje e cila mban mbishkrimin “Policia e Kosovës”.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/a-po-pergjohet-spitali-i-prizrenit-nga-policia-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala