A është Ilir Meta njeriu i duhur për pajtimin e politikanëve kosovarë?

Autori:Avdyl Pajaziti

Mundësia që kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të përfshihet në një mision negociues për të zgjidhur krizën politike në Kosovë ndonëse, sipas analistëve, mund të jetë qëllim mire, realizimi i këtij qëllimi mund të jetë i largët.

Ndonëse liderët politikë të shteteve të BE-së dhe Amerikës kanë një autoritet më të madh në Kosovë, kjo sipas analistëve, nuk mund të thuhet edhe për ata të Shqipërisë, pavarësisht raporteve të mira që kanë me politikanët e Kosovës.

Analisti Nexhmedin Spahiu nuk dëshiron të paragjykojë për rezultatin e mundshëm të kësaj nisme, por thotë se Ilir Meta nuk kanë ndonjë autoritet në vend.

Por, sipas tij, arma e fortë e Metës për zgjidhjen e krizës politike qëndron tek raportet e mira që ka ai me pozitën dhe opozitën si dhe me zyrtarë të Beogradit, pasi edhe problemet në mes pushtetit dhe opozitës lidhen me Beogradin.

“Nuk mendoj që Ilir Meta ka ndonjë autoritet të madh në Kosovë, por ai ka raporte të mira me liderët e pushtetit të opozitës dhe këtu qëndron arma e fortë në këtë drejtim”, ka thënë Spahiu për lajmi.net.

Edhe analisti Belul Beqaj nuk beson në ndonjë rezultat në përfshirjen e Metës në një mision për të dalë nga kriza politike në Kosovë, pavarësisht qëllimit të mirë që mund të ketë kjo iniciativë.

“Besoj se askush nuk duhet të kontestoj synimin e mirë të ndihmës dhe bashkëpunimit që vjen nga Shqipëria. Por, qëllimi i mirë dhe realizimi i atij qëllimi, janë dy çështje të largëta. Shqiptarët në këtë anë dhe në anën tjetër të kufirit, mjerisht e kanë vlerësuar autoritetin e liderëve të tyre më tepër në saje të synimeve, se në saje të realizmit të synimeve të tyre. Prandaj, e kemi gjendjen kaotike në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë ai.

Beqaj për lajmi.net ka thënë se Meta mund ta ketë respektin e atyre që e ftojnë, por rezultati i tij do të vije në shprehje vetëm kur pozita dhe opozita e dëshirojnë këtë.

“Mund të ketë respektin te ata që e kanë ftuar, por fuqia e tij mund të vjen në shprehje vetëm nëse pozita dhe opozita kanë kuptuar se sa janë dhe sa do të pa fuqizohen në të ardhmen, nëse vazhdojnë të sillen, në njërën anë me prepotencë, në anën tjetër me impotencë politike”, ka thënë Beqaj.

Është e përditshmja “Epoka e Re”, që ka raportuar sot se kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta mund të vijë në Kosovë gjatë kësaj jave, ku do të zhvillojë takime me liderët e partive politike në vend për të gjetur mundësinë për tejkalimin e krizës politike në vend.

Kosova ka më shumë se dy muaj që po përballet me një situatë të pa qëndrueshme institucionale, për shkak të bllokimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e partive opozitare.

Opozita ka kërkuar nga Qeveria që të tërheq dy marrëveshjet, atë për Asociacionin dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si kusht për tu kthyer normaliteti në Kuvend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/a-eshte-ilir-meta-njeriu-i-duhur-per-pajtimin-e-politikaneve-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala