A do t’i kthehen vezët bumerang opozitës ?

Autori:Avdyl Pajaziti

Veprimi i sotëm i deputetëve opozitarë të cilët e sulmuan me vezë kryeministrin e vendit, shihet në mënyra të ndryshme nga analistët politik. Disa prej tyre e cilësojnë si aktë të ulët, e disa si veprim që mund të ndodh në çdo vend demokratik.

Analisti për çështje politike, Xhemal Ahmeti, ka thënë për Gazetën Blic, se pikërisht ajo që ndodhi sot, e definon Vetëvendosjen për momentin dhe sipas tij, akti i sotëm do ta ndëshkojë Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kjo është semantika që lidhet me LVV-në aktualisht: vezë, topa ngjyre veturave, përleshje me policinë, thika, kërcënime rrjeteve sociale, peticione, protesta, histeri e jo alternativa politike, debate në parlament.

Ko akkulturë politike do t’i kushtojë shumë LVV-së në vazhdim. Ajo do të pësojë fiasko, ngase gjithnjë e më tepër distancohen njerëz të rëndësishëm nga ajo. Me këtë edhe bazat pas tyre”, ka thënë Ahmeti.

Ai më pas ka shtuar, se përveç këtij gabimi, opozita ka bërë edhe një tjetër të tillë karshi qytetarëve, që assesi nuk do t’i falet.

“Edhe nga një aspekt tjetër, opozita sot në Kuvend bëri një gabim që nuk do t’i falet. Ajo suspendoi opinionin publik nga e drejta e informimit rreth marrëveshjeve të bëra në Bruksel. Ku e merr ajo atë të drejtë ta bëjë një ndërhyrje kaq brutale në demokraci, duke sabotuar me dhunë të drejtën e shprehjes së vetë kryeministrit të vendit? Çfarë koncepti lirie është ky?”, është shprehur Ahmeti.

Mirëpo, ndryshe nga Ahmeti mendon Imer Mushkolaj. Ai në një shënim në Facebook ka thënë se mos e dramatizoni këtë çështje, ngase nuk është gjuajtur me plumba, por me vezë. Madje, ai ka kërkuar që të mos konstatohet se sot mori fund demokracia.

“Me vezë kanë gjuajtur e jo me plumbaMos e dramatizoni. Mos u boni histerikë. Edhe mos m’thuni që me sot mur fund demokracia”, ka shkruar ai në Facebook.

E analisti tjetër politik, Fadil Lepaja, e ka vlerësuar ngjashëm veprimin e opozitës, ku sipas tij “vezët politike”, me të cilat u veprua gjatë seancës, kushtojnë shumë në politikë.

“Nuk besoj se me këso veprimesh do të fitohet simpatia e qytetarëve.Vezët ndoshta në treg kanë çmim të ulët, por në politikë edhe mund të kushtojnë shumë më shumë”, ka thënë Lepaja për Gazetën Blic.

Sipas tij, kundrejt Kryministrit, më mirë ka qenë të përdoren faktet nga Vetëvendosja, se sa që ndodhi ai veprim me vezët.

“Vetëvendosje ka qenë më mirë ta “gjuante” me argumente kryeministrin dhe të provonte ta shtronte para parlamentit alternativën e saj. A do të thotë kjo, se vezët janë argumenti i vetëm i opozitës?”, ka përfunduar Lepaja.

Partitë opozitare (VV, AAK dhe NISMA), e kanë penguar raportimin e Kryeministrit Mustafa, sot, atëherë kur ai pritej të tregonte më gjerë mbi Marrëveshjet e Brukselit. Në momentin kur Mustafa ka dalë të raportojë, disa deputetë të opozitës kanë filluar ta sulmojnë me vezë, gjë e cila ka rezultuar me mbylljen e seancës. /Gazeta Blic/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/a-do-ti-kthehen-vezet-bumerang-opozites/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala