A do të shkarkohet rektori i Universitetit të Prishtinës? (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës sot mban mbledhjen e parë punuese, pas konstituimit javën e kaluar.

Në rendin e ditës, një kopje të të cilit e ka siguruar ORAinfo, nuk ndodhet kërkesa për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, të cilën e kanë nënshkruar 28 nga 42 anëtarët e Senatit të UP.

Megjithatë, nga burimet e Orainfo në Senatin e UP-së kuptohet se kjo kërkesë do të futet në rend dite në fillim të mbledhjes, me propozimin e ndonjërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues të emëruar nga Universiteti.

Po ashtu, burimet informojnë se dekanët e Fakulteteve kanë zhvilluar disa takime joformale me anëtarët e Këshillit Drejtues nga Universiteti ku kanë rënë dakord se shkarkimi i rektorit duhet të bëhet në mbledhjen e sotme të këtij organi.

Arsyeja kryesore për shkarkimin e rektorit është ndërprerja e praktikës së avancimeve akademike jashtë kritereve nga ana e këtij të fundit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Senatit që ndodhen vet në procedurë të avancimit.

Ka dhjetë ditë që kërkesa e Senatit për shkarkimin e rektorit është bërë publike, por, deri tani, anëtarët e Këshillit Drejtues të UP kanë refuzuar të deklarohen rreth kësaj, duke pretenduar se ende nuk e kanë marrë kërkesën.

Për dallim prej tyre, ministri Arsim Bajrami, përmes një komunikate zyrtare lëshuar të premten, ka thënë se “kërkesat për shkarkim të rektorit të Universitetit nuk janë në interes të Universitetit dhe si të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me angazhimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për mbështetjen e Universitetit në përmirësimin e cilësisë”.

Gjithashtu, kërkesat për shkarkim kanë hasur në reagim të ashpër të intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, ndërkohë që rektorit Zejnullahu mbështetjen e tyre i kanë ofruar edhe përfaqësitë diplomatike të vendeve të kuintit, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Këshilli Drejtues i UP ka nëntë anëtarë, prej të cilëve pesë janë emëruar nga Senati i Universitetit, ndërsa katër nga ministri i arsimit. Ndërkaq, për shkarkimin e rektorit nevojiten gjashtë vota. Mbetet të shihet nëse Këshilli Drejtues do t’ia dalë t’i sigurojë gjashtë vota të nevojshme për shkarkimin e rektorit, duke marrë parasysh faktin se Senati dhe ministri i arsimit kanë qëndrime të kundërta rreth kësaj çështjeje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/a-do-te-shkarkohet-rektori-i-universitetit-te-prishtines-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala