9 punëtorë vdiqën për një vit

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjendja e të drejtave të të punësuarve nuk është e kënaqshme, pasi që në shumicën e vendeve ku ata punojnë nuk respektohen të drejtat e tyre.

Vetëm gjatë 2014-tës kanë ndodhur 9 vdekje dhe 63 lëndime në vendin e punës.

Ndërkohë, inspektoriati i punës ka shqiptuar 1502 vërejtje me shkrim, si dhe 171 gjoba. Kështu u tha në takimin e përbashkët të mbajtur në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës (TEIP), që përfaqësohej nga kryeinspektori Basri Ibrahimi, kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesi, Agim Shahini, ku është diskutuar mbi respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe mbi gjendjen aktuale të bizneseve në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar edhe për gjendjen e bizneseve, ku u kërkua që gjatë inspektimeve që kryhen nga ana e TEIP të mos shkohet drejtpërsëdrejti me shqiptimin e gjobave, me çka do të rëndohej edhe më shumë gjendja e bizneseve, por të kërkohen alternativa tjera.

“Gjatë këtij takimi është arritur pajtueshmëria që gjatë muajit prill të këtij viti, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve mbi legjislacionin e zbatueshëm që rregullon sferën e punës, punësimit, ambientin e punës dhe shëndetin e të punësuarve, të organizohet një fushatë e përbashkët e MPMS, OEK, OEA dhe AKB”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gjithashtu në takim, kryeinspektori i TEIP, Basri Ibrahimi, ka njoftuar mbi aktivitetin që kanë zhvilluar inspektorët e punës gjatë vitit 2014, ku sipas tij, janë realizuar 9337 inspektime ku nga këto 5974 kanë qenë inspektime të rregullta, 2715 kanë qenë inspektime të përsëritura, 488 kanë qenë inspektime me kërkesë të palës, si dhe 160 kanë qenë inspektime në bashkëpunim me institucionet tjera të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

“Gjatë këtyre inspektimeve, Inspektorati i Punës ka arritur të legalizoj 2715 punëtorë të cilët kanë punuar në mënyre jo formale, si dhe 336 subjekte ekonomike të cilat aktivitetin e tyre e kanë ushtruar gjithashtu në mënyre jo formale.

Gjatë këtyre inspektimeve, IP ka shqiptuar 1502 vërejtje me shkrim si dhe 171 gjoba. Numri i përgjithshëm i punëtoreve që janë inspektuar është 36 022. Gjatë 2014-tës kanë ndodhur 63 lëndime në vendin e punës te cilat i ka evidentuar inspektorati i punës dhe 9 vdekje në vendin e punës, ka thënë Ibrahimi”, thuhet në njoftim.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/9-punetore-vdiqen-per-nje-vit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala