86 dasmorë të burgosur

Autori:Avdyl Pajaziti

Me gjithë shtimin e masave vetëdijesuese nga ana e Policisë së Kosovës për parandalimin e përdorimit të armëve në ahengjet familjare, numri i incidenteve në dasmat ne Kosovë ka qenë i lartë edhe këtë vit.

Sipas të dhënave të Policisë, pesë persona janë lënduar ndërsa janë gjetur e konfiskuar 79 armë gjatë festimeve nëpër dasma.  Derisa janë arrestuar 86 persona të përfshirë në incidente.

“Sezona pranverë-verë karakterizohet me aktivitete të veçanta duke filluar me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetet tjera, pastaj shtimi i numrit të dasmave, ahengjeve dhe gazmendeve familjare. Si rezultat i festimeve të ndryshme kemi edhe raste më të shpeshta të përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, e që kjo paraqet rrezik potencial për jetën e qytetarëve tanë,” thuhet ne përgjigjet e Zyrës për Informim dërguar Gazetës Fjala.

Po ashtu, policia ka njoftuar se ka Përdorimi i armëve gjatë ahengjeve familjare është bërë shqetësim i përvitshëm i policisë dhe qytetarëve.  Përveç nëpër dasma, në të kaluarën janë shënuar raste të lëndimeve edhe gjatë shënimit të festave të tjera, siç është ajo e vitit të ri.

Policia e Kosovës është parë të jetë më aktive gjatë këtij viti në tentim për të vetëdijesuar opinionin lidhur me rreziqet që shkakton festimi me armë, duke publikuar një numër të spoteve sensibilizuese.

Për më tepër, siç njoftojnë nga zyra për informim e policisë, përgatitjet operacionale për të evituar këto incidente kishin filluar qysh në muajin prill.

“Policia e Kosovës ka që nga muaji Prill ka të përgatitur planin operacional lidhur me zezonën verore 2015, ku ka paraparë ndërmarrjen e të gjitha masave proaktive dhe aktive në funksion të zbatimit të ligjit dhe krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe sigurinë gjatë pjesëmarrjes nëpër aktivitete të ndryshme gazmore si dasmat apo ahengjet,” thuhet në përgjigjet e policisë./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/86-dasmore-te-burgosur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala