7 gjëra që nuk i dini për migrenën

Autori:Avdyl Pajaziti

Migrena është një problem shumë i përhapur duke prekur një pjesë të madhe të popullatës. Rreth 9 për qind e amerikanëve janë të prekur nga ky problem i dhimbjes së kokës. Derisa ka shumë gjëra që mund t’i dini për migrenën, disa gjëra që ndoshta nuk i keni ditur do t’ju befasojnë.

Këtu i keni shtatë fakte të cilat mund të mos i keni ditur për migrenën.

1. Migrena lidhet me rrezik për vetëvrasje

Disa studime e kanë lidhur migrenën me një rrezik të shtuar për tentim vetëvrasje dhe madje edhe me kompletim të vetëvrasjeve. Rreziku mund të jetë më i lartë në mesin e njerëzve me migrenë me aurë ose simptoma si shkrepje drite dhe simptoma të tjera sensore të cilat mund ta shoqërojnë kokëdhimbjen. Nuk është e qartë se pse migrena dhe vetëvrasjet janë të lidhur, por ekspertë thonë se depresioni dhe migrena ndajnë të njëjtën biologji.

2. Barnat mund ta përkeqësojnë migrenën

Edhe pse barnat janë të destinuara për të ndihmuar lehtësimin e dhimbjeve të migrenës, në disa raste kjo strategji mund të kthehet në efekt të kundërt. Përdorimi shumë i shpeshtë i barnave të migrenës mund të rezultojë në atë që njihet si “kokëdhimbje nga përdorimi i tepërt i barnave”, dhe shpejt ta përkeqësojë gjendjen. Kjo lloj kokëdhimbje mund të ndodhë me barna të ndryshme, përfshirë narkotikët, paracetamolin, barnat anti-inflamatore josteroidale (si ibuprofeni) dhe triptanet, një grup barnash të përdorura në mënyrë të veçantë për të trajtuar migrena. Zgjidhja? Përpiquni të mos përdorni barna të migrenës, ose lloje të ndryshme të barnave që merren pa recetë, për më shumë se dy herë në javë.

3. Vetëtima dhe migrena mund të bashkohen

Një studim i personave që vuajnë nga migrena ka gjetur se rreziku i migrenës shtohet në ditët kur kishte vetëtima në afërsi, krahasuar me ditët kur nuk kishte. Por edhe pse faktorët e lidhur me motin, si presioni barometrik dhe lagështia të dyja janë lidhur me migrenën në të kaluarën, rreziku i shtuar për migrenë nuk mund të shpjegohet vetëm me ta. Autorët e studimit mendojnë se valët elekromagnetike nga vetëtima mund të nxisin kokëdhimbjen ose vetëtima mund të rritë prodhimin e ozonit ose sporeve të myqeve, të cilat të dyja mund ta nxirin migrenën.

4. Migrena lidhet me probleme të tjera shëndetësore

Njerëzit me migrenë kanë rrezik të shtuar për goditje në tru dhe probleme të tjera kardiovaskulare krahasuar me popullatën e përgjithshme. Rreziku për goditje në tru, në veçanti, është më i lartë kur migrena shoqërohet nga aura, si dhe te femrat e moshës 35 vjeçe e më lartë, veçanërisht ato të cilat përdorin kontraceptivë oral ose që pinë duhan. Studiuesit nuk janë të sigurt se pse goditja në tru dhe migrena janë të lidhura por, pavarësisht kësaj, një histori migrene me aurë duhet të shihet si një shenjë për rrezik të rritur për goditje truri.

5. Rënia e nivelit të stresit mund të shkaktojë migrenën

Nëse ju mendoni se përfundimi i punëve, provimeve ose ndonjë prezantimi të rëndësishëm në punë do ta reduktojë migrenën, mund të gaboheni. Kërkuesit amerikanë kanë gjetur se rreziku për migrenë rritet për 20 për qind te njerëzit të cilët kalojnë nga një gjendje dëshpërimi ose nervoze në gjendje të lumtur ose relaksuar. Këto shfaqje të migrenës mund të shkaktohen nga rëniet e shpejta dhe të theksuara të hormoneve. Si të reduktoni gjasat për migrenë të kësaj natyre? Përpiquni të shmangni kulmet e stresit në radhë të parë. Nëse jeni në ditët ose javët e fundit të ndonjë ndodhie, bëni ca joga ose bëni shumë pauza.

6. Seksi mund ta nxisë migrenën

Kjo është e vërtetë. Mundi i madh fizik, përfshirë aktivitetin seksual dhe ndonjëherë edhe vetëm nxitja seksuale, mund të shkaktojë migrenë. Normalisht kjo lloj migrene është më e shpeshtë te meshkujt e moshës së mesme dhe, fatmirësisht, largohet me kalimin e moshës. Një zgjidhje më e dukshme është të shmangni aktivitetin seksual, por ka edhe mënyra më të lehta për të parandaluar migrenën. Disa mjekë përshkruajnë barna të presionit të gjakut, të njohura si beta-bllokator, për të parandaluar migrenën. Por, kini parasysh se disa studime tjera tregojnë se seksi në fakt mund ta lehtësojë migrenën.

7. Migrena vjen nga fryma e fuqishme

Përveç lagështisë dhe temperaturës barometrike, disa njerëz betohen se një frymë e rëndë qëndron prapa nxitjes së migrenës te ta. Së paku një studim shkencor mbështet këtë. Kërkimet kanadeze kanë gjetur një rrezik të shtuar për migrenë në ditët që paraprijnë frymës “chinook” (lloj fryme e ngrohtë karakteristike për Amerikën Veriore), si dhe në ditët kur fryma kalon 23 milje në orë. Në përgjithësi rreth gjysma e personave që vuajnë nga migrena janë të ndjeshëm në faktorë të motit, si temperatura, lagështia dhe presioni barometrik, sipas një studimi tjetër. /Mjeku.Net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/7-gjera-qe-nuk-i-dini-per-migrenen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala