7 gabimet që bëjnë shoferët

Autori:Avdyl Pajaziti

Ne të gjithë i pëlqejmë surprizat – jo vetëm në makinë. Por nëse papritur ngrenë krye defektet, motori nuk ka asnjë pikë vaj, apo pika më e afërt e karburantit është kilometra larg kur ty të është ndezur e kuqja, çfarë ndodh? Një grusht konstatimesh praktike na bëjnë që të mendojmë më shumë për të ruajtur qetësinë e të gjejmë zgjidhjen

 

1.Defekti në vend të huaj, një skenar horrori

Ti ke vendosur të ndërmarrësh një udhëtim të gjatë, ndoshta të kalosh edhe kufijtë e shumë shteteve në kontinent. Ashtu është, një rrugë vërtet e gjatë, por makina jote, mund të mos i përgjigjet dëshirës tënde. E më pas ndodh ajo që pritet: Motori të tradhton në mes të rrugës, në një autostradë të madhe e nis të lëngojë. Se çfarë defekti ka saktësisht, ti s’mund ta dish. Vetëm se një gjë është e sigurt: Në atë moment, të vjen të hash veten me dhëmbë.

Makina jote nuk ka as dy javë pra që u kontrollua në servis, duke kaluar edhe kontrollin zyrtar teknik! E tani? Defekt? Po si? Mund të jesh në mes të Francës e njohuritë e tua në frëngjisht janë thuajse zero: “Të lutem”, “Faleminderit” dhe “Përshëndetje”, kaq ndoshta është ajo çka mundesh. Por do të të kushtojë orë dhe shumë telefonata, derisa më në fund të organizosh siç duhet servisin e detyruar ndaj veturës që të ka zhgënjyer. Dëshira për një udhëtim ëndërr, tashmë është kompromentuar, por jo shpresat e tua.

2.Të udhëtosh me pikën e fundit të benzinës

Ti je rrugës drejt një takimi shumë të rëndësishëm. Duhet që në çdo rast të jesh i përpiktë – dhe natyrisht, siç ndodh rëndom, ke harruar një mbrëmje më parë t’i hedhësh një sy nivelit të benzinës. Të nesërmen në mëngjes, fëmija yt nuk dëshiron të braktisë shtratin e për ters edhe xhamat e makinës kanë ngrirë. E ke humbur kështu një gjysmë ore shumë të vlefshme në mëngjes, ndërsa tashmë ke marrë rrugën, me gaz të plotë. Por papritur vë re se treguesi i karburantit të ka kapur fundin! Humbet nervat dhe mallkon me zë, ndërsa të kanë mbetur vetëm dy opsione: ta mbushësh me karburant dhe të arrish në punë në një kohë që gjithsesi do të cilësohet “vonë”, ose të marrësh përsipër një rrezik të plotë, e t’ia shkelësh gazit, derisa benzina të të çojë në punë – në rastin më të mirë – ose ta djegësh ditën tënde, duke rrezikuar të mbetesh si peshku pa ujë në mes të rrugës? Të dyja, pak joshëse si opsione, apo jo?

3.Zhurma e çuditshme e motorit në kohën e gabuar

Ti sapo je martuar dhe po nget makinën për të kapur festën e ditëlindjes së bashkëshortes që mezi po të pret. Ke bërë premtime që duhet t’i mbash. I merr borxh makinën kunatit dhe nisesh për të blerë pijet në një dyqan. Në fakt atë makinë s’e nget askush tjetër, përveç të zotit, por sot bën përjashtim.

E kështu që papritur sheh që llamba ndizet në të kuqe e motori se ç’bën një zhurmë të çuditshme. Ti sigurisht se nuk ia thua shumë për defektet. E ç’të bësh? Të vijosh të ecësh për të shkuar ndërkohë në takim, apo të ndalosh menjëherë e të shohësh se çfarë ka ngjarë?

Të thërrasësh karroatrec? Të shkosh në servisin më të afërt? Çfarë nuk do të jepje pra që dikush të të thoshte në atë moment se çfarë ka makina.

4.Gjetja e një adrese në navigator dhe trafiku

Më në fund, ia ke dalë që pas një jave të lodhshme pune, t’u përgjigjesh dëshirave të prindërve për të kaluar një fundjavë me ta. Në mes të rrugës, merr një thirrje telefonike nga nëna. Planet kanë ndryshuar, e vendtakimi tashmë është në orën 20.00, në një piceri në brendësi të qytetit.

Ti nuk ia ke idenë se ku ndodhet, sepse ti kishe në kokë vetëm adresën e shtëpisë së prindërve. Me njërin sy kërkon picerinë me ndihmën e navigatorit, me tjetrin, i jep timonit, i trazuar nga trafiku bezdisës në qytet. Ngaqë kjo është shumë e rrezikshme, ti dorëzohesh i nevrikosur, duke ndaluar në një vendparkim për të shkruar adresën e mallkuar në navigator.

5.Fëmijët mistrecë që kërkojnë internet në makinë

Ti je me familjen tënde duke shijuar pushimet në plazh. Gjatë udhëtimit të kthimit për në shtëpi, ti dëshiron t’u dërgosh prindërve ca foto nga pushimet e shumëlëvduara. E bashkë me to, të postosh edhe ca përshëndetje në Facebook dhe të zbrazësh për fëmijët ca filma në tablet. Por smarti yt sërish vuan nga valët e dobëta – e madje as që reagon fare. I thua gruas, por ai sërish s’punon. E hedh i nevrikosur atë mbi sedilje apo kroskot e ia fut gazit, duke mallkuar operatorin telefonik. Sa do të dëshiroje një internet stabël në makinë në atë moment. Ndërkaq: fëmijët janë bërë të zhurmshëm dhe nga ana tjetër, edhe gjyshërit në anën tjetër, duken të zhgënjyer.

6.Ku dreqin e kam parkuar makinën time?

Ti je bërë bashkë me miqtë për të shijuar muzikën në një festival të rëndësishëm, e është kulmi i verës. Gjatë gjithë fundjavës në kasetofonin e makinës kanë luajtur bandat e tua të preferuara. Kur më në fund, të dielën, ndihesh tërësisht i lodhur, por shumë i lumtur, ndërsa kërkon parkimin, merr goditjen. Ngado vetura, pa fund, deri ku të arrin syri. Vetëm se: ku është e jotja? Përfton përshtypjen se po harxhon orë duke kërkuar e duke u sjellë vërdallë në një parkim të stërmadh, derisa dikur, diku, e gjen më në fund veturën tënde. Festivalin e kishe menduar ndryshe, apo jo?

7.Ftesa jote e personalizuar për të gjithë hajdutët

Ti parkon veturën tënde në mjediset e aeroportit, në parkimin e stërmadh. Tri javë të presin t’i kalosh këndshëm në SHBA. Avioni ndërkaq po ngrihet, ndërsa ti gëzohesh që ke gjetur një vend pranë dritares. Papritur kujtohesh se: ti nuk e ke mbyllur makinën tënde. Të dalin djersë të ftohta nga stresi. Mbrapa nuk bëhet fjalë të kthehesh, apo jo? Kështu pra, ajo që ke lënë prapa krahëve, mund të të kushtojë një dorë të mirë humbje nervash!

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/7-gabimet-qe-bejne-shoferet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala