60 lopë dhe 360 dhi, për fermerët vushtrrias

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, siguroi se komuna e Vushtrrisë në vitet e ardhshme do t’i shtojë fondet e investimeve direkte në bujqësi, në mënyrë që të rritet prodhimtaria dhe që njerëzit të punësohen dhe të rrisin mirëqenien e familjeve të tyre.

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 100 mijë euro për blerjen e 60 krerëve lopë dhe 360 krerëve dhi qumështore, sipas një projekti, nga i cili do të përfitojnë 30 fermerë me nga 2 krerë lopë qumështore, të cilët të martën kanë nënshkruar kontratat.

Realizimi i këtij projekti do të fillojë së zbatuari që nga dita e martë. Në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Vushtrrisë, projektin e kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, në veçanti të blegtorisë. Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me blegtorët përfitues, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku siguroi se Komuna e Vushtrrisë në vitet e ardhshme do t’i shtojë fondet e investimeve direkte në bujqësi, në mënyrë që të rritet prodhimtaria dhe që njerëzit të punësohen dhe të rrisin mirëqenien e familjeve të tyre.

“Derisa vjet për bujqësi kemi investuar rreth 150 mijë euro, sivjet investimet në sektorin e bujqësisë kanë qenë 330 mijë euro, pjesë e të cilave janë edhe këto projekte”, ka thënë Mulaku.

Në anën tjetër, Arta Haxhaj, drejtoreshë e Bujqësisë në Komunën e Vushtrrisë, tha se synimi i kësaj Drejtorie, përkatësisht i Komunës së Vushtrrisë, mbetet zhvillimi i bujqësisë, me theks të veçantë ai i blegtorisë. “Synim yni është të rrisim fondin blegtorial, për të stimuluar prodhimin vendor të qumështit dhe produkteve të tij, si dhe prodhimin e mishit për nevojat e tregut, duke zvogëluar importin dhe duke ngritur cilësitë e këtyre produkteve”, ka thënë Haxhaj. Në projektin e lopëve qumështore, fermerët kanë marrë pjesë me 50 për qind të pagesës së çmimit për lopët qumështore.
Ndryshe, Komuna e Vushtrrisë është ndër rajonet me blegtori më të zhvilluar në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit, numri i gjedheve në territorin e Vushtrrisë është mbi 10 mijë krerë. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/60-lope-dhe-360-dhi-per-fermeret-vushtrrias/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala