6 mijë qytetarë kërkuan ndihmë mjeksore në emergjencë

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Leniani ka bërë të ditur se rreth gjashtë mijë pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Korrik. 23 prej tyre kanë vdekur.
Stina e verës çdo herë shënon rritje të numrit të pacienteve në Qendrën Emergjente në QKUK. Mirëpo bazuar në të dhënat e deritashme këtë vit pritet të regjistrohet numër rekord i rasteve, tha drejtori i kësaj Qendre, Basri Leniani.
Ai tha për Radio Kosovën, se gjatë Korrikut përkundër planifikimit të medikamenteve mjekësore dhe materialit shpenzues ka pasur mungesa për shkak të numrit të madh të pacientëve.
“Gjithsejtë për muajin korrik kanë kërkuar ndihmë 5850-të raste. Prej tyre 70% i takojnë sëmundjeve, ndërsa 30% i takojnë aksidenteve ne komunikacion. Për muajin korrik shënohet numër rekord i të sëmurëve. Konsiderohet si numri më i madh i shërbimeve të ofruara në Kliniken Emergjente krahasuar me vitin e kaluar”.
Leniani ka theksuar se si pasojë e sëmundjeve dhe po ashtu aksidenteve në komunikacion në këtë Qendër 23 raste përfunduan me fatalitet.
“Me fatalitet dominojnë sëmundjet, në Kliniken Emergjente gjithsejtë si pasojë e aksidenteve në komunikacion kemi tre të vdekur. Ndërsa sa i përket vdekjeve të cilat ngjajnë si pasojë e sëmundjeve të renda ky numër është deri në 20 vdekje të cilat kanë ndodhë”.
Sipas tij, pacientët me probleme kronike duhet të jenë në kontakt me mjekun familjar, ndërsa ata që kanë çrregullime, si dhimbje gjoksi ose dhimbje koke mbi 24 orë, urgjentisht duhet të kontaktojnë mjekun me të afërt.