54 luftëtarët e UÇK-së së bashku me Adem Jasharin (Grupi i dytë -Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

E vërteta e luftës në Kosovë po zbardhet, falë njerëzve protagonistë të luftës, të cilët nuk janë thyer as nga presioni, kërcënimet dhe vrasjet e bëra paslufte.

Tashmë po kuptohet gjithnjë e më shumë se Adem Jashari ishte një hero i zhvilluar brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe jo si pjesë e grupeve të çakorduara ilegale.

Dje kemi botuar shkrimin me foto të grupit të parë të gueriles së stërvitur në Shqipëri. Ndërsa, sot po vijojmë me grupin e dytë të stërvitur në Shqipëri, grupe këto që kishin për protagonistë Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhën.

Për zhvillimet e asaj kohe, që vazhdojnë me hyrjen në Kosovë të 33 anëtarëve të grupit të dytë, të cilët pasi e kaluan kufirin u armatosen dhe i shpërndanë armët në përgatitje të luftës guerile.

Saim Tahiraj, për Gazetën NewBorn tregon se si kanë filluar këto ushtrime, të cilat janë organizuar në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Roli i tij ishte koordinimi në mes UÇK-së në Kosovë dhe shqiptarëve në Zvicër, dhe barte mbi vete përgatitjen e grupit të dytë.

“Unë kam qenë i angazhuar në këtë drejtim që nga viti 1981, në grupin e Deçanit në atë kohë në krye me Isuf Gërvallen, Smajl Haradinin, Hasan Ukëhaxhen, Din Ahmetin. Por ngjarjet ndryshuan dhe me ardhjen e LDK-së ne u kyçëm të gjithë, ku kisha rolin e koordinatorit në atë kohë mes këtyre në Kosovë dhe në Zvicër. Së bashku me Xhemajl Berishën morëm përsipër përgatitjen e grupit të Deçanit, grupit të dytë, për të parin ishin Sali Çekaj dhe Zymer Lulaj”, thotë Tahiraj.

Ai thekson se eprorët kryesor në Shqipëri kanë qenë Kastriot Hoxha, Hysen Ymeri e disa të tjerë, ku përgatitjet që i kanë bërë gjatë atij muaji, kanë qenë nivel shumë i lart i ushtrimeve.

“Atë çka e kemi bërë në ushtrime në Shqipëri për një muaj mund të them se ka qenë një nivel shumë i lart i ushtrimeve. Eprorët kryesorë kanë qenë Kastriot Hoxha, Hysen Ymeri, Agroni, Ylli dhe disa të tjerë. Ushtrimet janë ndarë në dy grupe ku ekspertët, ushtarët janë orientuar më shume në aspektin e luftës guerile, ushtrimet janë mbajtur nga qitja me revole e deri te ato me minahedhës, dhe sistemin kudër ajror që ishte në armatën e Shqipërisë. E rëndësishme ka qenë përgatitja fizike dhe psikike për luftë në atë kohë, dhe është arritur një rezultat shumë i mirë gjatë atyre stërvitjeve. Pra i tërë ky organizim ka qenë në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thekson ai.

Ai tregon se si kjo Ushtri i ka bërë kontaktet e para me Ibrahim Rugovën, Ramiz Alinë, nëpërmjet Fehmi Aganit, por edhe Sali Çekajt, i cili kishte takimi direkte me zyrën e LDK-së në Shtutgart.

“Kontaktet e para që këta djem i bëjnë në atë kohë i bëjnë me Ramiz Aliun, Ibrahim Rugovën edhe realizohen ato me ndërmjetësimin e Fehmi Aganit në fillim në mes grupeve tona dhe Sali Çekajt, që kishte takime direkte me zyrën e LDK-së në Shtutgart, e cila në atë kohë ishte ambasadë. Por, aty ishte edhe Hafiz Gagica që ishte një pjesë shumë e rëndësishme për Gjermaninë, së bashku me Fehmi Aganin dhe Ibrahim Rugovën, kurse në Zvicër ishte Imer Berisha, Shaban Mulolli, Ismet Avdullahi ku rol të veçantë në atë kohë ka luajtur edhe përfaqësia jonë që ishte në Tiranë me prof. Ali Aliun. Në vitin 1991 u formua Ministria e Mbrojtjes në krye me Hajzer Hajzerin, ku me strukturat e kësaj ministrie nuk ka pas komunë, lagje a po fshat që nuk ka qenë e organizuar, pra në mënyrë përfekte ka qenë e organizuar”, thotë Tahiraj.

Ai gjithashtu thekson se si Sali Çekaj kishte rol të veçantë në Deçan, ku kjo komunë kalon menjëherë në shërbim të popullit dhe ishte i vetmi komiteti i Deçanit në krye me Sali Çekajn që dalin publikisht në përkrahje të kërkesave të popullit.

“Sali Çeku kishte aftësi të gjithanshme, ishte jurist, dhe kishte ushtruar detyrën e funksionit të kryetarit të gjykatës në Deçan, pastaj kryetar i komitetit komunal të Deçanit, ku me ardhjen e Saliut në këtë post komplet komuna e Deçanit kalon në shërbim të popullit, ku i vetmi ishte ky komitet që del haptas përmes televizionit që i përkrah kërkesat tona. Pra, nuk kemi pasur të bëjmë me individ të rastësishëm, por me individ të përgatitur politikisht, kombëtarisht dhe ka pasur gradën e kapitenit ushtarak, pra kemi pasur të bëjmë me një njeri të kompletuar dhe një kombinim mjaft të mirë mes Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit dhe Sali Çekajt së bashku me grupet guerile që ishin në atë kohë”, thotë Tahiraj.

Edhe ish shefi i zyrës së Kosovës në Tiranë, përkatësisht ambasador, Skënder Zogaj, tregon për Gazetën NewBorn se edhe fotografia autentike e publikuar me pjesëmarrësit në ushtrime është një dokument autentik që tregon të vërtetën.

“E kam takuar kryesorin, Adem Jasharin, në shkurt të 1993-tës, pak para se të kthehet në Kosovë dhe, përfundimisht të pozicionohet për ta luftuar okupatorin serbë deri në çastin e fundit te jetës së tij. Sa i përket mbajtjes së ushtrimeve ushtarake e dinë të gjithë dhe kjo tashmë është e faktuar saktësisht. Fotografia e publikuar është dokumenti autentik për pjesëmarrësit në ushtrime dhe, për fat të mirë nga fotografia janë njerëzit e gjallë të cilët më së miri mund ta dëshmojnë të vërtetën e tyre, pse kanë shkuar, si kanë shkuar, kush i ka organizuar, kush është përkujdesur për ta, ku kanë qëndruar, me kë janë ushtruar”, thotë Zogaj.

Zogaj pohon se këto ushtrime kanë qenë kërkesë e Qeverisë së Kosovës, e cila edhe ka financuar, ku ushtrimet ishin mjaft të dobishme nga pikëpamja e konceptimit të filozofisë ushtarake.

“Unë jam mirë i informuar për faktin së janë ushtruar dhe se, ushtrimet kanë qenë mjaft të mira dhe të dobishme, sidomos nga pikëpamja e konceptimit të filozofisë ushtarake në drejtim të institucionalizimit të faktorit ushtarak të Kosovës dhe se, kjo ka qenë kërkesa e Qeverisë së Kosovës, e cila edhe ka financuar këto ushtrime. Detajet e tjera, në atë kohë i dinë vetëm ata që kanë qenë drejtpërsëdrejti të përfshirë në grup ose në organizimin e tij, sepse, kanë qenë koha dhe rrethanat e tilla që, sa më pak njerëz të jenë të informuar për detajet, që të mos rrezikohen njerëzit, por edhe vet iniciativa, që është menduar se do të vazhdohej më pastaj, pikërisht me këta njerëz të trajnuar, që do ta vazhdonin punën brenda Kosovës”, thotë ai.

Zogaj thotë se Sali Çekaj ka qenë njëri nga organizatorët kryesor të kësaj iniciative, kurse Adem Jashari pas ushtrimeve ka qenë shumë i pranishëm në përfaqësinë e Kosovës, kurse në atë kohë edhe Presidenti Rugova ka vizituar Tiranën ku edhe kanë bërë fotografinë.

“Pra, në atë kohë, sa jam unë i informuar, edhe pse ushtrimet janë bërë në Shqipëri, me listën e personave të përfshirë në ushtrimet ushtarake, nuk e ka pas as Zyra e Përfaqësisë së Kosovës, e cila në njëfarë mënyre ka qenë institucioni më i besueshëm. Shumë më vonë, është marr vesh se, Sali Çekaj ka qenë njëri nga organizatorët dhe menagjuesit kryesor të kësaj iniciative. Sa i përket Adem Jasharit, pas ushtrimeve ka qenë shumë i pranishëm në Përfaqësinë e Kosovës, mirëpo, si qytetarë nga Kosova, i strehuar përkohësisht në Tiranë dhe, asgjë më tepër. Në këtë kohë, në muajin mars 1993, ka ndodhur edhe vizita e Presidentit Ibrahim Rugova në Tiranë dhe është realizuar fotografia e pranisë së Adem Jasharit në takimin me mediet që është mbajtur në Aeroportin e Rinasit”, thotë Zogaj.

Saim Tahiraj, bashkëpunëtorë i ngushtë i Sali Çekajt, shpjegon edhe për mënyrën se si u armatos Adem Jashari në kullën e tyre në Beleg, e cila më pas u shkatërrua nga forcat serbe duke i vënë zjarrin dhe nga sulmet me armë.

“I pari ka ardhur vetë Adem Jashari. Me Ademin ka qenë edhe Xhafer Zena nga Majanci i Podujevës, por me banim në Prishtinë. Atë natë pasi hangrëm darkë e pitëm çaj, ne vëllezërit Tahiraj, Adem Jasharit ia kemi dhënë 13 kallashnikovë si dhe municionin e nevojshëm. Këtu do ta përshkruaj momentin e nisjes së Ademit dhe dialogun e tij me Xhafer Zenën. Pasi i futën 12 kallashnikovë në arkën e veturës të markës Askona me ngjyrë të kuqe e me targa të Prishtinës, Xhaferi u ulë në vendin e shoferit ndërsa Ademi u ulë përpara në anën e djathtë të tij. Ademi kallashnikovin e vetë, me dy karikatorë, e vuri në prehër, ndërsa Xhaferi i tha: – Adem ndoshta është më mirë që edhe këtë ta maskosh pak? Ademi iu përgjigj, “me tërë këto armë, i gjallë s’ka kush që më del përpara”. Natën udhëtuan me Xhafer Zenën për Drenicë e Llap për ta shpërndarë atë armatim. Kështu u shpërnda një pjesë e madhe e armatimit. Pastaj, Nazmi Bajrami nga Shipoli i Mitrovicës dhe Ramadan Begu erdhën nga Mitrovica, të cilët i kanë përcjellë Osman Ferizi dhe Shkëlzen Gjoni nga Kodralia pas mes nate”, thotë Tahiri. /gazeta NewBorn/

Lista e 54 emrave nga grupi i dytë i gueriles shqiptare:

Adem Jashari 

Ilaz Kadriu 

Osman Ferizi 

Avni Zymeri 

Adem Maksuti 

Shaqir Salia 

Avni Rama 

Sami Tahiraj 

Shkelzen Gjonaj 

Naim Gubetini 

Xhavit Gubetini 

Lutfi Jonuzi 

Ramadan Begu 

Ilmi Peci

Shahin Bejtollahu

Hasan Ferizi 

Ejup Murseli

Isa Xhaferri

Naser Jakupi

Jakup Limani

Sait Jashari

Bujar Zeneli

Nazmi Bajrami

Beqir Saiti

Orhan Ibrahimi

Bujar Hazizi

Faton Gajtani

Shemsi Zeqiri

Samet Rrahmani

Adem Derguti

Muharrem Bobaj

Ferat Çerkezi

Ahmet Berisha

Murat Jashari

Ilmi Bajrami

Fatmir Staveleci

Nuri Bexheti

Shaip Azemi

Fikret Halili

Selman Rreci

Kenan Kelmendi

Qenan Aziri

Fadil Kadria

Isuf Ismaili

Ekrem Sheholli

Dritan Restelica

Fehmi Beqiri

Hamdi Jaha

Ymer Aliu

Mehmet Breznica

Jahi Zeqiri

Zenullah Voca

Halil Palloshi

Faris Xhemaili 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/54-luftetaret-e-uck-se-se-bashku-me-adem-jasharin-grupi-i-dyte-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala