500 euro shpërblim kush e gjen këtë veturë

Autori:Avdyl Pajaziti

Z.B. banorë i Prishtinës në lagjen Kodra e Trimave, e kishte blerë para disa viteve një veturë të markës Peugeot 206.

Këtë veturë përveç Z.B., e ka vozitur edhe vajza e tij në emrin e së cilës ka qenë i regjistruar. Të dy e kanë pasur shprehi që asnjëherë të mos i heqin çelësat, pasi e kanë parkuar veturën në oborrin e shtëpisë, raporton lajm.net
Njëjtë kanë vepruar edhe mbrëmjen e së dielës. Por si duket, dikush e shfrytëzoi mirë këtë veprim të tyre. Babë e bij kur u zgjuan në mëngjes, nuk e gjetën veturën në oborr.
“Të dielën mbrëma para se të bie me fjet, gruaja më tha ‘dil mbylli dyert e oborrit’”, tregon Z.B. për lajmi.net, i cili pasi e ka raportuar rastin në polici, iu drejtua redaksisë tonë me shpresën se dikush pasi ta sheh lajmin, do t’i jap ndonjë informacion për veturën.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe e ka cilësuar si “vjedhje e rëndë”.
Z.B. shpjegon se hajnat nuk kanë pasur mundësi të hyjnë në oborr, veçse duke kaluar murin. Pasi kanë hyrë në pronën e tij, e kanë vjedhë veturën pa bërë asnjë zë.
“Nuk kemi dëgjuar asgjë. I kam pyetur edhe banorët e lagjes por askush nuk dinte asgjë”, thotë ai. “Asnjëherë në lagjen tonë nuk ka ndodhur ndonjë rast vjedhjeje”, shton Z.B.
Pasi kishte shkuar në Stacionin e Policisë në Kodrën e Trimave, ai gjatë gjithë ditës e ka kërkuar veturën nëpër pjesë të ndryshme të Prishtinës.
“Po më dhimbset vajza sepse vetura ka qenë e saj”, shprehet Z.B., i cili ka vendosur të jap shpërblim për atë që ia gjen veturën.
“Do t’i jap 500 euro shpërblim atij që ma gjen veturën”, deklaron ai. Sipas tij, Peugeot 206 në tregun e Kosovës vlerësohet rreth 3 mijë euro. Targat e veturës janë RKS 01-503-DL ngjyrë hiri. Nëse ndokush zbulon ndonjë informacion rreth këtij rasti, luteni që ta kontaktoni redaksinë e lajmi.net ose Policinë e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/500-euro-shperblim-kush-e-gjen-kete-veture/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala