50 mijë tonë patate nga arat e Vushtrrisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Për shkak të kushteve të mira klimatike, ujitjes me kohë dhe trajtimit profesional të bujqve, rendimentet e patates pritet të jenë shumë më të larta se vitin e kaluar dhe ato do të arrijnë 50 mijë tonë. Për subvencione kanë aplikuar 307 fermerë që kanë mbjellë 1.235.66 hektarë tokë me patate

Nga arat e komunës së Vushtrrisë, të shumtën në Pestovë, një fshat i njohur për kultivimin e patates, sivjet pritet të nxirren mbi 50 tonë patate, një prej kulturave bujqësore më të rëndësishme me të cilën merren bujqit vushtrrias pas lufte.

Tani, 17 vjet pas përfundimit të luftës, patatja në Vushtrri nuk prodhohet më vetëm për konsum familjar, por për konsum të gjithë qytetarëve të Kosovës, e madje edhe për eksport.

Sipas zyrtarëve në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Vushtrri, rendimentet e patates këtë vit janë më të mira se në vitin e kaluar, për shkak të farës cilësore, por edhe të sistemit të ujitjes dhe trajtimit profesional të bujqve.

 

Drejtoresha për Ekonomi, Bujqësi dhe Zhvillim Rural në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, i ka thënë Zërit” të mërkurën, se këtë vit rendimentet janë më të larta se vitin e kaluar, madje edhe mund të thyhet rekordi, për shkak të cilësisë së farës, teknologjisë shumë më të avancuar gjatë kultivimit të patates, por edhe futjet në përdorim të sistemit të ujitjes nga hidrosistemi “Ibër-Lepenc”.

“Kushtet e mira klimatike, ujitja me kohë dhe trajtimi profesional i bujqve që tashmë kanë bërë traditë, kanë qenë çelësi i suksesit në rritje të prodhimtarisë së patates. Me të drejtë presim që këtë vit, nga sipërfaqet e tokës të mbjella me patate të nxirren mbi 50 mijë tonë patate”, ka thënë drejtoresha Haxhaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/50-mije-tone-patate-nga-arat-e-vushtrrise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala